E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia Bashkiake dhunon punonjësit e Drejtorisë së Rrugëve

23/12/2010  Të dhunuarit kallëzim penal në Prokurori për dhunë dhe sekuestrim të mjeteve

Korçë- Rikonstruksioni i rrugëve në qendër të qytetit të Korçës është kthyer në një skandal të vërtetë, madje edhe të turpshëm. Policia Bashkiake, (një veprim i panjohur deri më sot) mori përsipër të dhunonte fizikisht punonjësit e Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Rrugëve. Madje jo vetëm kaq, Policia e Bashkisë shkoi deri atje sa t’u merrte peng edhe mjetet, me të cilat ata po kryenin punime, dhe për më tepër duke i dhënë të drejtë vetes që këtë mjete t’i çonte në qendrën e bllokimit të automjeteve. Ndërkaq, për gjithçka që ndodhi mes Policisë Bashkiake dhe Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Rrugëve, kjo e fundit çoi në Prokurori dy kallëzime penale: një për dhunimin e punonjësve të saj dhe tjetrin për marrjen peng të mjeteve. Megjithatë, përplasja që ndodhi mes dy institucioneve të përmendura më sipër, la një shije të hidhur për vetë banorët e qytetit të Korçës, pasi nga shumë banorë ky konflikt është vlerësuar si një akt tejet i shëmtuar. Tashmë Korça po kupton çdo ditë e më shumë se të zgjedhurve të këtij lloji u ka ikur koha.

Konflikti

Rruga në qendër të Korçës shumë pranë me kinema “Moravën” që prej shumë ditësh vijonte të ishte e mbushur nga inertet dhe gropa të shumta. Për këtë arsye, Drejtoria e Mirëmbajtjes së Rrugëve me kërkesë të qytetarëve të Korçës dhe të bizneseve që operojnë në këtë rrugë, mori përsipër pastrimin e ambientit. “Një veprim i tillë, siç u shpreh Drejtori i Mirëmbajtjes së Rrugëve, Kreshnik Zgjani, është në kompetencat e saj. Kjo drejtori mund të ndihmojnë në mirëmbajtjen e rrugëve në komuna dhe bashki”. “Sigurisht, tha Zgjani, nga ana jonë u vendos që këto punime të kryheshin në orët e vona të mbrëmjes, pikërisht në atë kohë kur qarkullimi i automjeteve është i vogël”. Por ndërsa kishte filluar puna për pastrimin e inerteve dhe mbushjen e gropave, ndërkaq kishte mbërritur edhe Policia Bashkiake, e cila kishte kërkuar ndaljen e punimeve.

Dhunimi i punonjësve

Tashmë siç është bërë e ditur si nga Drejtoria e Rrugëve dhe nga Prefekti i Korçës Andrea Mano, Policia Bashkiake kishte ndërhyrë forcërisht, madje duke dhunuar fizikisht edhe punonjësit. Gjithsesi dhunimi nuk kishte përfunduar këtu. Ndërsa punonjësit e mirëmbajtjes së rrugëve kishin dashur të largoheshin dhe t’i shmangeshin këtij konflikti, punonjësit e Policisë Bashkiake i kishin kthyer mbrapsht dhe u kishin kërkuar të dorëzonin mjetet, me të cilat po kryenin punime. Këto mjete u çuan në qendrën e bllokimit të automjeteve. Gjithçka kishte ndodhur në orët e vona të natës. Megjithatë, për zgjidhjen e situatës tashmë çështja i ka kaluar Prokurorisë së rrethit Korçë, e cila shumë shpejt do të thotë fjalën e saj. Gjithsesi përplasja e dy institucioneve nxori në pah faktin se ka edhe drejtues institucionesh që mund të kryejnë akte të tilla të shëmtuara. E vërteta është se ata punonjës të thjeshtë u kthyen në shtëpitë e tyre, para familjeve të tyre të dhunuar fizikisht.

Ethet e fushatës

Megjithatë, gjithçka që ndodhi në orët e vona të natës, nuk ka të bëjë aspak me rrugën në qendër të qytetit. Kjo rrugë që prej disa muajve është kthyer në një “mollë sherri” mes dy krahëve të politikës, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Kjo lojë tashmë nuk përbën asnjë surprizë për banorët e qytetit të Korçës. Afrimi i fushatës për zgjedhjet vendore ka futur në ankth se kush do ta ketë kryetarin e bashkisë në zgjedhjet e ardhshme. Arsyeja e vetme e tyre është të gjenden sa më shpesh në konflikt, të ndihen sa më shumë, të hedhin akuza dhe kundërakuza, të betohen se kush e do më shumë qytetin e Korçës dhe kush e do më pak...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›