E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryepolici: “Bollono më urdhëroi të heq tabelat”

Autori i Lajmit: red.
Kreu i Policisë Bashkiake të Himarës deklaroi dje se është urdhëruar nga Vasil Bollano të zëvendësojë tabelat në gjuhën shqipe me ato në greqisht. Deklarata është bërë në seancën e djeshme gjyqësore në ngarkim të kreut të Bashkisë së Himarës. Pas dy mungesave në seancat paraardhëse, Aleks Deda ka dëshmuar dje në seancën e radhës në ngarkim të Bollanos. Kryepolici i Bashkisë u është përgjigjur pyetjeve të prokurorit për veprimin e heqjes së tabelave në shqip, të kryer prej tij. Ai ka deklaruar se me cilësinë e shefit të Policisë Bashkiake, ai ka zbatuar urdhrin e nxjerrë nga kryetari i Bashkisë së Himarës, i cili e detyronte strukturën që ai drejton me zbatimin e këtij urdhri. Sipas tij, ka qenë një urdhër i nxjerrë nga Bollano, që ka çuar në heqjen e tabelave në aksin rrugor Llogara – Qeparo.
Seanca
Kryepolici bashkiak, Aleks Deda, ka dëshmuar në seancën e katërt gjyqësore ndaj Bollanos, me kërkesë të organit të Prokurorisë. Ai ishte thirrur dhe dy herë të tjera, por nuk kishte ardhur në seancat e mëparshme. Në seancën e djeshme, dëshmitari Deda është përgjigjur në lidhje me pyetjet e parashtruara nga prokurori i çështjes, Sokol Malaj, për heqjen e disa tabelave në shqip në rrugët përreth Himarës. Në seancën që e drejtonte gjyqtari Shkëlzen Selimi, nuk ka qenë i pranishëm Vasil Bollano. Ai përfaqësohej në seancë nga avokati i tij, Petraq Curri. Bollano, njëkohësisht kryetar i OMONIA-s, akuzohet për shpërdorim detyre lidhur me heqjen e tabelave në gjuhën shqipe në një aks rrugor nacional, me pasojë dëmin ekonomik ndaj shtetit në vlerën 2.2 milionë lekë. Deda pranoi se ky veprim ishte kryer nga vartësit e tij, në zbatim të urdhrit të nxjerrë nga kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasillaq Bollano, urdhër që detyronte strukturën që ai drejton, për ta zbatuar.
Akuza
Prokurori i çështjes, Sokol Malaj, që është njëkohësisht dhe kryeprokuror i Rrethit Vlorë, kërkoi nga togat e zeza që kryesohen nga gjyqtari Shkëlzen Selimi, që në seancën e ardhshme, Vasil Bollano të jetë medoemos i pranishëm në sallën e gjyqit.
Seanca e ardhshme mësohet se u fiksua për në datën 19 shtator të këtij viti, ku pritet që të mësohet nëse Bollano do të pranojë kërkesën e prokurorit për të shoqëruar avokatin e tij në seancën gjyqësore.

Dëshmia
“Unë kam urdhëruar vartësit e mi që të ekzekutojnë një urdhër të firmosur nga Bollano dhe ardhur për zbatim në zyrën e Policisë Bashkiake”, - është shprehur Deda. Ai tha se urdhri përcaktonte heqjen e tabelave që kishin udhëzime në gjuhën shqipe, në aksin rrugor Llogora–Qeparo.
Ky lajm është publikuar: 05/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›