E Diel, 1 Nëntor 2026

Rizbulimi i Apolonisë, francezët i kthyen madhështinë qytetit të lashtë

Autori i Lajmit: red.
"Qytet i madh dhe hijerëndë", - kështu e cilësonin Apoloninë historianët antikë, por deri në vitet 20 të shekullit XX pluhuri i harresës e kishte mbuluar lavdinë e qytetit të dikurshëm në të cilin jeta thuajse ishte fikur krejt. Misionin për identifikimin e Qytetit të Perëndisë së Diellit prej nga kishte marrë dhe emrin, e mori përsipër arkeologu francez Leon Rei. Në dallim nga udhëtarët e tjerë të huaj që ishin mjaftuar me disa shënime udhëtimi mbi rrënojat e një manastiri, atëbotë edhe ai gjysmë i rrënuar, Rei ishte i vendosur t i kthente qytetit lavdinë e dikurshme. Falë interesit të qeverisë shqiptare të kohës për të hedhur dritë mbi të kaluarën historike të vendit, në vitin 1923 u arrit të nënshkruhej e para konventë arkeologjike në historinë e shtetit shqiptar. Duke iu përmbajtur synimeve rigorozisht shkencore, kjo konventë mundësonte gërmime arkeologjike në disa pika të territorit te Shqipërisë. Por shumë shpejt u pa se vendi ideal për të tilla gërmime ishte Apolonia, pasi në territorin që do të gërmohej nuk kishte veçse shkurre e ferra dhe asnjë nevojë për shpronësime siç ishte rasti i Durrësit ku në fakt
filloi gërmimet e para misioni francez. Ishte këmbëngulja e drejtuesit të këtij misioni, Leon Rejit, që bëri të mundur jo vetëm identifikimin e shpejtë të Apolonisë së lashtë, por edhe disa zbulime spektakolare në një kohë relativisht të shkurtër dhe me shpenzime modeste. Pikërisht rizbuluesit të Apolonisë në kohërat moderne i bën homazh edhe ekspozita fotografike që Zyra e Administrimit dhe Koordinimit e Parkut Arkeologjik Apolonia përuron sot. Janë disa dhjetëra foto që pasqyrojnë punën e misionit francez të mbështetur fuqimisht nga autoritetet shqiptare dhe banorët e fshatit Pojan që arritën t i
kthejnë madhështinë e merituar Apolonisë së Ilirisë. Ekspozita është fryt i një punë të gjatë kërkimore me arkivat dhe dokumentacionin. Ajo është financuar nga MTKRS dhe synon krijimin e një poli të ri të vizitueshëm në Parkun Arkeologjik Apolonia, mbi kodrën më të lartë të qytetit. "Nuk është një muze i stilit "arkaik" me pedagogji të ngurtë, por i konceptuar si një vend-kujtese, ku vizitori mund të bëjë një ndalesë shlodhëse e njëkohësisht të informohet mbi punën e atyre që kryen zbulimet e para arkeologjike në Apoloni. Një qendër e tillë dokumentare është e para e këtij lloji në Shqipëri. Ajo është konceptuar si një ekspozitë e përhershme, me vlera të veçanta dokumentare dhe që i shërben turizmit kulturor.
Ky lajm është publikuar: 05/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›