E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ndotin ajrin”, hetohen 10 persona

Autori i Lajmit: red.
Ndotja e ajrit të kryeqytet, e shkaktuar nga kaminat gëlqerore në Krujë, ka ngritur në këmbë organin e akuzës. Kështu dje Prokuroria e Krujës ka nisur ndjekjen penale për 10 persona, të cilët kanë në pronësi gropat e gëlqerës në këtë zonë. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare pranë organit të akuzës sipas të cilave "Ndotja e ajrit", është vepra penale për të cilën do të hetohen të dyshuarit. Burime nga akuza bëjnë të ditur se këto procedime penale kanë kryer një sërë veprimesh hetimore si këqyrje të vendit të ngjarjes, e shoqëruar me tabelën fotografike, si dhe sekuestrim i lëndëve djegëse të përdorura dhe të ndaluara nga legjislacioni mjedisor shqiptar. Akuza bënë të ditur se janë sekuestruar dhe vetë ambientet ku kryhej kjo veprimtari e kundërligjshme. Po ashtu, janë shoqëruar për në Komisariatin e Policisë Krujë një numër i konsiderueshem personash, ndërmjet të cilëve dhe disponuesit e dhjetë kaminave gëlqerore.
Ndotja
Burime zyrtare nga prokuroria bëjnë të ditur se procedimet ndaj subjekteve, të cilët kanë ngritur kamina gëlqerore në rrethin e Krujës dhe, me aktivitetin e tyre, shkaktojnë ndotje të lartë të ajrit. Hetimet kanë nisur pas konstatimit të situatës problematike mjedisore. Kështu, nisur nga fakti se ndotja e ajrit sjell ndryshim të cilësisë së ajrit, prishje të dizekuilibrit të sistemit natyror dhe më kryesorja është faktori që sjell dëmtime në shëndetin e banorëve të komunitetit të zonës dhe se parashikohet si vepër penale në nenin 201 të Kodit Penal.
Procedimet
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë ka vënë nën hetim 10 persona për veprën penale të "Ndotjes së ajrit", parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal. Procedimet penale janë iniciuar kryesisht pasi u konstatua se subjekte të caktuara ushtronin aktivitet pa dokumentacionin e duhur ligjor, dhe gjatë aktivitetit të tyre shkaktonin ndotje tepër të lartë në ajër. Gjatë konstatimit në vend u vu re se në këto kamina, gropa gëlqerore, përdoreshin për lëndë djegëse edhe materiale si goma të përdorura, sfungjere, mbetje plastike etj, të cilat shkaktojnë një ndotje të lartë të ajrit nëpërmjet shkarkimit në të të blozës dhe gazrave helmuese. Akuza bën të ditur se përdorimi i lëndëve të kësaj natyre ndotja në ajër rezulton të jetë disa herë tej normave të lejuara nga legjislacioni mjedisor.
Ky lajm është publikuar: 05/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›