E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uji i ndotur, banorët në panik për shëndetin

Autori i Lajmit: red.
Problemi i ndotjes së ujit të pijshëm, pasi shkaktoi përhapjen e shumë sëmundjeve infektive në Poliçan dhe Urën Vajgurore, është shfaqur ditët e fundit në një fshat të rrethit të Beratit. Banorët e fshatit Otllak, që prej një jave nuk mund të konsumojnë ujin e pijshëm që vjen në çezmat e banesave të tyre, për shkak të ndotjes së tij. Sipas tyre, ditët e fundit uji vjen me ngjyrë, aromë të keqe dhe mikrobe të shumta. Janë plot 2500 banorë të këtij fshati, vetëm pak kilometra larg qytetit të Beratit, të cilët kanë ngritur sot pranë komunës shqetësimin për ndotjen e ujit. Një fakt i tillë është bërë prezent nga vetë banorët, të cilët kërkojnë zgjidhjen e problemit, pasi nuk mund të përballojnë dot koston e konsumimit të ujit të ambalazhuar. Menjëherë drejtuesit e komunës kanë kërkuar marrjen e kampionëve të ujit për t u analizuar pranë Drejtorisë së Higjienës në qytetin e Beratit. Burime pranë kësaj drejtorie bëjnë me dije se uji në pamje të jashtme është vërejtur si i ndotur, por shkalla e ndotjes, përbërësit e saj, do të konstatohen vetëm pas përgjigjes që pritet të merret nga analizat e kampoionëve të ujit. Ndërkohë që janë shfaqur rastet e para të problemeve shëndetësore tek banorët, ato janë parë si sporadike nga specialistët mjekë të komunës. Por nuk është përjashtuar dyshimi se shkak është bërë uji i ndotur, konsumuar nga banorët e fshatit. Komuna furnizohet me ujë të pijshëm nga ujësjellësi i Bogovës, por si shkak i ndotjes mendohet të jetë rrjeti tejet i amortizuar që është ndërtuar rreth vitit 1965 dhe nuk ka pësuar asnjë rikonstruksion. Ndotja e ujit të pijshëm është kthyer në problem në qarkun e Beratit gjatë muajve të fundit. Në Poliçan dhe Urën Vajgurore u regjistruan vatrat e epidemive ku u prekën qindra banorë si pasojë e ndotjes së ujit të pijshëm.

Ky lajm është publikuar: 05/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›