Kryeprokurori i Hagës Bramertz vizitoi Beogradin
Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Serzh Bramertz vizitoi dje Beogradin ku zhvilloi bisedime me zyrtarët serbë lidhur me bashkëpunimin me Gjykatën. Brametz u takua me prokurorin e Gjykatës serbe për krimet e luftës, Vladimir Vukçeviç, si dhe me ministrin serb për Bashkëpunimin me TPI-në, Rasim Ljajiç. Një tjetër takim u zhvillua me presidentin serb, Boris Tadiç dhe kryeprokurori do të largohet nga Beografi ditën e sotme. Bramertz po përgatit aktualisht raportin për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur me bashkëpunimin e shteteve të ish-Jugosllavisë me TPI-në. Ai ka vizituar Bosnjë-Hercegovinën në fillim të majit dhe pritet të shkojë edhe në Kroaci. Në një intervistë të publikuar në të përditshmen “Blic”, Ljajiç, u shpreh i bindur se Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç, dy të kërkuarit për krime lufte nga Gjykata e Hagës nuk mund të fshihen përjetësisht”.
Ivanov, zyrtarisht president i Maqedonisë
Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov sot zyrtarizohet si shef i ri i shtetit. Presidenti i deritanishëm Branko Cërvenkovski i shoqëruar nga garda, do ta presë Ivanovin para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe së bashku do të hyjnë në sallën plenare. Pritet që Ivanov të japë një deklaratë para Kuvendit, me të cilën do të betohet se në pesë vitet e ardhshme do ta udhëheqë shtetin me ndërgjegje dhe përgjegjësi. Pas dhënies së betimit, presidenti i ri do të mbajë fjalimin e tij të parë në Parlament. Në ceremoni do të marrë pjesë kryeministri Nikolla Greuvski dhe kabineti qeveritar, si dhe përfaqësues të shteteve të tjera dhe institucioneve shtetërore, të korit diplomatik, të gjykatës, të bashkësisë fetare etj. Ceremoninë zyrtare do ta ndjekin edhe disa presidentë të shteteve të huaja, mes të cilëve edhe presidenti kroat Stipe Misiç, ai i Serbisë Boris Tadiç, i Shqipërisë Bamir Topi dhe presidenti i Malit të Zi Filip Vujanoviç.
12 Maj 2009