E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët ndalin protestat e dhunshme në Veri, arrihet marrëveshja



Blerina Olldashi
Serbët në lagjen “Kroi i Vitakut” në Veri të Kosovës u kanë dhënë fund protestave, pasi mundën të arrinin një marrëveshje me përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara për rindërtimin e disa shtëpive. Njëri nga përfaqësuesit e komunitetit serb në Mitrovicë, Nebojsha Miniç u shpreh se marrëveshja u arrit pas bisedimeve me përfaqësuesit e administratës së Kombeve të Bashkuara dhe nëpërmjet tyre edhe me ata të misionit europian për sundimin e ligjit, EULEX dhe rindërtimi pritet të fillojë ditën e mërkurë. Ambasadori amerikan në Beograd, Kamerun Manter i bëri thirrje qeverisë së Beogradit të mos nxisë dhunën në veri të Kosovës. Sipasa tij, liderë të papërgjegjshëm në veri të Kosovës, po nxisin dhunë dhe paraqesin kërcënim për sigurinë në këtë pjesë të vendit. Ai i bëri thirrje qeverisë së Serbisë që t’i ndalë këta persona të mos rrezikojnë sigurinë e Kosovës. Protesta më e madhe në këtë zonë u zhvillua dy ditë më parë ku morën pjesë 300 serbë dhe një polic mori lëndime të rënda derisa njëzet të tjerë kanë morën lëndime të lehta trupore. Banorët serbë bllokuan për disa orë rrugën Gjilan-Bujanoc dhe lirimi i zhbllokimi i saj mundi të bëhej vetëm pas ndërhyrjes së forcave policore. Për shkak të përleshjeve me policinë u arrestuan pesë serbë, prej të cilëve katër meshkuj dhe një femër, të cilëve iu shqiptua masa e paraburgimit prej 48 orësh. Sipas policisë, pjesëmarrësit e protestës u bënë shumë të dhunshëm kur policia kërkoi prej tyre të zhbllokonin rrugën dhe protestën ta mbanin diku tjetër. “Ata u bënë të dhunshëm, hodhën gurë, shishe dhe koktej molotovi në drejtim të policëve”,- thuhet në njoftimin e policisë. Pas përleshjeve me policinë, ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, u bëri apel serbëve të Kosovës t’iu shmangen përleshjeve me Policinë e Kosovës dhe problemet t’i zgjidhin me rrugë paqësore. Bogdanoviç, i paralajmëroi serbët se me dhunë nuk mund të zgjidhet asnjë problem. Edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti para arritjes së marrëveshjes deklaroi se serbët, problemet rreth furnizimit me energji elektrike ,duhet t’i zgjidhin me mjete paqësore e jo me dhunë.

Prishtinë, serbet refuzojnë të kthehen në polici

Ftesës së Qeverisë së Kosovës për t’u kthyer në Polici u janë përgjigjur vetëm 4 serbë të rajonit të Prishtinës dhe Gjilanit. Ndërkaq 296 policëve të tjerë të cilët kanë bojkotuar punën që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pezullimi me pagesë, do t’ju ndërpritet më 15 maj. Oferta për kthimin e tyre në policinë e Kosovës, mbetet e hapur deri me 30 qershor. Ftesa për kthimin e policëve të pezulluar është përsëritur edhe një herë përmes një komunikate të dërguar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës. Në anën tjetër humbjet në Buxhetin e Kosovës nga këto paga kalojnë shifrën mbi 1 milion euro. Zyrtarët e Policisë së Kosovës, vazhdojnë të kundërshtojnë faktin se policët serbë tashmë janë kyçur në strukturat paralele që funksionojnë në Kosovë. Ketë ditë më parë e kishte konfirmuar një polic serb.
Oliver Ivanovic, zyrtar i lartë në Qeverinë e Serbisë ka kundërshtuar kthimin e pjesëtarëve serbë në Policinë e Kosovës, pa përmbushjen e siç thotë ai të planit gjashtëpikësh të OKB-së. Ivanoviç ka thënë se serbët e Kosovës nuk do të pranojnë asnjë institucion që prezanton shtetin e pavarur të Kosovës.

12 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›