E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeprokurorja: Pres vendimin e Kuvendit

Kryeprokurorja e Republikës, Ina Rama, i është përgjigjur
për të parën herë deputetëve personalisht pas kritikave të
legjislativit ndaj organit qendror të akuzës, në lidhje me dosjen
ku kërkohet heqja e imunitetit e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir
Mediu. Në mënyrë lakonike, Prokurorja e Përgjithshme
ka përdorur gjuhën e Ezopit, duke iu përgjigjur shkurt dhe
qartë: "Jemi në pritje të vendimit të Kuvendit, dosja është dërguar
sipas procedurave ligjore dhe përmban të gjitha materialet
që prokuroria ka në dispozicion". Kryeprokurorja nuk ka
shtuar qoftë edhe një fjalë të vetme, edhe pse interesimi ka
qenë i madh, por ka bërë të ditur se mesazhi i saj është i qartë
dhe i mjaftë për deputetët. Institucioni
qendror i akuzës
kërkon që Kuvendi të marrë
me shpejtësi hapat e tij ligjorë
për të diskutuar dhe miratuar
në seancë plenare heqjen e imunitetit
të deputetit, Fatmir
Mediu. Një javë më parë,
Këshilli i Rregullores dhe Imunitetit
të Kuvendit, ka akuzuar
Prokurorinë për joseriozitet,
sepse sipas parlamentarëve
dosja kishte shumë faqe dhe
ata nuk mund t‘i lexonin. Por si
rrallë herë më parë, Prokurorja
e Përgjithshme, për këtë çështje ka marrë edhe mbështetjen
e drejtpërdrejtë të opozitës shqiptare. Partia Socialiste, në një
deklaratë publike i ka bërë thirrje Kuvendit që të përshpejtojë
procedurat për heqjen e imunitetit të Mediut, duke mbështetur
fuqishëm Prokurorinë e Përgjithshme. Ndërkaq, i akuzuari
nga organi i akuzës, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është
larguar për arsye familjare në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës, duke e vënë në dijeni Kuvendin për vizitën e tij jashtë.
Ndërkaq, menjëherë pas këtij veprimi të ish-ministrit,
opozita ka akuzuar Mediun se po i fshihet hetimit. Në kërkesën
për heqjen e imunitetit ndaj deputetit Fatmir Mediu, drejtuar
Kuvendit, të gjitha të dhënat apo faktet kalojnë nga MEICO,
duke hedhur dyshimin se Pinari ka "fundosur" ish-ministrin e
Mbrojtjes. Në fillim të kërkesës, prokuroria deklaron se mbështetur
në aktet dhe dokumentet e administruara nga hetimet e
deritanishme, evidentohen mjaft të dhëna që përbëjnë dyshim
të arsyeshëm se Mediu ka kryer veprime dhe mosveprime me
dashje në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje
të rregullt të detyrës së tij, në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes,
se ato kanë lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja
e ndodhur në Gërdec dhe se kanë sjellë përfitime të padrejta
në favor të subjekteve private.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›