Kryeprokurorja i dërgon propozim Presidentit për largim nga puna të prokurorit Zamir Shtylla

Kryeprokurorja Ina Rama ka pranuar dorëheqjen e prokurorit Zamir Shtylla, ish-kryehetuesi i tragjedisë së Gërdecit, i vendosur në qendër të vëmendjes gati një vit më parë pas sulmeve politike të Kryeministrit. Ish-drejtori i krimit të organizuar në akuzën qendrore, Shtylla ka dhënë dorëheqjen nga detyra si prokuror në Elbasan nëpërmjet një kërkese të dorëzuar në ditët e fundit të vitit të kaluar kreut të akuzës, zonjës Ina Rama. Sipas burimeve zyrtare nga prokuroria, dorëheqja e Shtyllës është pranuar nga Prokurorja e Përgjithshme, e cila ia ka përcjellë kërkesën për t’u dekretuar edhe Presidentit të vendit.
“Dorëheqja dhe arsyet e që ka deklaruar prokurori Zamir Shtylla janë konsideruar të bazuara nga kryeprokurorja Ina Rama. Për këtë arsye, me një propozim, i ka kërkuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, largimin e tij nga detyra”, thanë burimet nga akuza qendrore. Sipas tyre, po punohet për plotësimin e vendit vakant të Shtyllës në Prokurorinë e Elbasanit, ku ka qenë në detyrë deri në ditët e fundit të vitit 2009. Sipas të dhënave nga prokuroria, ish-drejtori i krimit të organizuar thotë në kërkesën e tij se është sulmuar politikisht dhe po kështu është ulur qëllimisht në detyrë, pavarësisht eksperiencës prej 30 vitesh në organin e akuzës. Sipas tij, ai nuk e gjen më veten në prokurori e për këtë dorëhiqet për t’iu kushtuar një tjetër sektori, atij të avokatisë. Por kjo nuk është e vetmja dorëheqje e prokurorit në fjalë.
Ai ka dhënë dorëheqjen disa muaj më parë edhe për hetimin e tragjedisë së Gërdecit pas sulmeve politike ndaj tij. Dorëheqja e tij u bë pak ditë para se të hynte në fuqi ligji “Për pastërtinë e zyrtarit” ose i njohur ndryshe si ligji i dosjeve apo lustracionit. Tri ditë më vonë nga dorëheqja e tij, ai është emëruar sërish si prokuror, por në Elbasan. Gjatë debateve të projektligjit për pastërtinë e figurës dhe në të njëjtën kohë që ai drejtonte hetimet për tragjedinë e Gërdecit, Shtylla u akuzua nga Kryeministri si persekutor në regjimin komunist. Menjëherë pas këtyre sulmeve, Shtylla la grupin hetimor të Gërdecit dhe u transferua nga numri një i akuzës si prokuror i thjeshtë në rrethin e Elbasanit.
Reagimi i vetëm i Zamir Shtyllës gjatë këtyre muajve ka qenë një letër publike ku pohonte se kishte qenë një prokuror i përkushtuar si gjatë viteve ‘90 edhe pas ‘90 dhe se kishte drejtuar hetime të rëndësishme si ai ndaj bandës së Aldo Bares dhe të disa ish-bllokmenëve mes të cilëve edhe arrestimi i Nexhmije Hoxhës.