Në janar, do të eksportohen mbi 160 milionë kWh

Prodhimi i energjisë elektrike prek nivelet më të larta në histori, duke i detyruar autoritetet t’i drejtohen tregut për shitjen e saj. Sipas të dhënave të fundit, eksporti i energjisë elektrike gjatë ditës së djeshme arriti në 11 milionë e 500 mijë kilovat në orë. Sipas drejtorit të përgjithshëm të KESH-it, eksporti do të vijojë deri në fund të muajit janar, pasi janë nënshkruar kontratat me dy kompani private për blerjen e energjisë elektrike. Sa i takon prodhimit, niveli rekord i arritur është 27 milionë e 200 mijë kilovat energji, kur ndërkohë mesatarja e prodhimit në vitin 2008 ishte rreth 10 milionë kilovat.
Në fund të muajit dhjetor, KESH zhvilloi ankandin për shitjen e energjisë elektrike, duke shpallur fituese kompanitë zvicerane EFT dhe EGL. Kontrata zgjat deri në fund të muajit janar 2010 dhe parashikon lëvrimin e rreth 164 milionë kilovat energji elektrike.
Po ashtu një tjetër sasi e konsiderueshme do të depozitohet në vendet fqinje, për t’u kthyer mbrapsht në situata nevoje. Eksporti i energjisë elektrike duke e shitur atë u lejua nga qeveria me anë të një vendimi, i cili më parë lejonte vetëm depozitim deri në masën 4 për qind të prodhimit. Lëvrimi i energjisë do të kryhet nga tri drejtime, Greqi, Mali i Zi dhe Serbi.
Eksporti i energjisë elektrike gjatë vitit 2009 rezultoi pozitiv për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Të dhënat financiare flasin për një fitim prej rreth 25 milionë euro gjatë periudhës janar-tetor 2009. Energjia e prodhuar nga KESH shitet kryesisht në Kosovë dhe Greqi, me çmim deri në 40 euro për megavat.