E Diel, 1 Nëntor 2026

Pistat. Sipas policisë, ai mund të jetë larguar edhe pas ndonjë mosmarrëveshjeje në familje

Babai i tre fëmijëve, i zhdukur prej nëntë ditësh, e policia ende nuk di asgjë për fatin e tij. Kjo është historia e një pronari lokali në një nga lagjet e Tiranës, i cili është nisur për të takuar një teknik televizori dhe nuk është kthyer më. Familja e tij i ka bërë apel jo vetëm policisë, por edhe medias që ta ndihmojnë në gjetjen e 39-vjeçarit Arjan Bulku.
Zhdukja
Babai i tre fëmijëve, i cili banon te rruga “Sabaudin Gabrani” (ish-SMT-ja), është larguar nga lokali i tij rreth orës 17:30 të datës 27 dhjetor. Në lokal ka qenë bashkë me djalin e madh, 15 vjeç, të cilit i ka treguar se do të shkonte te tekniku i televizorit. Në ato momente ka marrë makinën e tij tip “Golf 3”, ngjyrë të verdhë, me targa TR 1947 S. Rrugës, pak pa mbërritur në rrugën kryesore, është përshëndetur nga larg me vëllain e tij, Besimin, i cili punon si taksist. Por, që nga ai moment, ai nuk është parë më. Besimi ka shkuar në lokal dhe rreth orës 18:20 i ka telefonuar që të vinte të luante domino, ashtu siç mblidheshin përherë. Vetëm pesë minuta më vonë, Bulku i ka kthyer telefonatën, por nuk kanë folur në asnjërën prej tyre. Besimi, i cili është i vetmi vëlla që jeton pranë tij, pasi dy të tjerët janë emigrantë në Itali, është larguar nga lokali pak kohë më vonë, por Arjani, ende nuk ishte kthyer. Rreth orës 23:30, djali i tij 15-vjeçar ka telefonuar xhaxhain dhe i ka treguar se i ati nuk ishte kthyer. Në atë kohë, vëllai i tij, Besimi, ka tentuar të lidhet në telefon, por celulari i tij rezultonte i fikur. Rreth orës 04:00 të mëngjesit të datës 28 dhjetor, në shtëpinë e Besimit ka shkuar bashkëshortja e Arjanit, e cila i ka konfirmuar se Arjani nuk kishte shkuar në shtëpi. Në këto kushte, Besimi ka telefonuar teknikun e televizorit për të pyetur nëse dinte ndonjë gjë. Ai ka treguar se pasdite nuk ishte takuar me të, por vetëm paradite dhe që nga ai moment nuk e kishte parë më.
Denoncimi
Duke u nisur nga kjo situatë që nuk kishte ndodhur kurrë me të, Besimi 43-vjeçar është paraqitur në Komisariatin Nr. 6 në Kombinat për të kërkuar ndihmën e policisë. Ai ka rrëfyer për oficerin e policisë se vëllai i tij ishte zhdukur pa lënë gjurmë, duke u vënë në dispozicion edhe fotografitë dhe pasaportën, të cilën e kishte në banesë. Më tej, ka treguar se ai është veshur me triko gri dhe xhins blu. Policia ka marrë targën e makinës dhe numrin e tij të celularit, por nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e tij. Gjithashtu, janë marrë në pyetje familjarët për ndonjë konflikt të ndryshëm të Arjanit, por ai rezulton pa probleme.
Hetimet
Në këto kushte, policia ka nisur hetimet për gjetjen e tij. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, personi i zhdukur është parë disa herë pas datës së zhdukjes në Kombinat, që mendohet se ka qenë një ditë më vonë. Gjithashtu, nga hetimet e policisë është mësuar se një nga personat që e ka parë në zonën e Kombinatit është një kushëri i tij, i cili është shprehur i bindur se ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij. Veç tyre, policia ka marrë informacion edhe për ndonjë konflikt për çështjen e lokalit, por ka rezultuar se ai nuk ka asnjë problem të tillë. I vetmi problem, sipas policisë ka të bëjë, për disa mosmarrëveshje të vogla në familje. Por, edhe kjo nuk justifikon zhdukjen e tij prej nëntë ditësh. Vëllai i tij ka treguar se prej kohësh kishte harmoni dhe këto probleme i përkasin të shkuarës. Ndërkaq, mësohet se ndonjëherë, Arjan Bulku punonte si taksist me persona të njohur. Nga ky fakt është frikësuar edhe më shumë familja e tij, pasi dyshon se mund të ketë rënë pre e ndonjë grabitje të mundshme. Policia ka dhënë targën e makinës te të gjitha shërbimet policore, si dhe po bashkëpunon ngushtë me shërbimet telefonike, për të parë telefonatat e fundit të kryera prej tij. Fotoja e tij u është shpërndarë shërbimeve të policisë kufitare, por edhe të policisë kriminale. Ditët e ardhshme, policia pritet të kryejë veprime të tjera për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›