E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeqytetasit ndiejnë dimrin, nisin kufizimet me orare të zgjatura

Ulja e menjëhershme e temperaturave, ftohja e motit dhe kërkesa e madhe për konsum energjie ka sjellë edhe kufizimet e dritave në kryeqytet. Piku i kërkesës dhe fluksi i konsumit sjellin mbingarkesë të linjave, të cilat nuk kanë kapacitete për të përballuar të gjitha pajisjet ngrohëse të ndezura në të njëjtën kohë. Ndërsa temperaturat kanë shkuar nën 0 gradë Celsius, kërkesa për t‘u ngrohur dhe për të vendosur në punë pajisjet në shtëpitë e kryeqytetasve është rritur nga dita në ditë. Mbingarkesa, por jo vetëm remontet që po kryhen për rregullimin e avarive, kanë shkaktuar nervozizëm te qytetarët, të cilëve u është dashur të rregullohen me sajesa për të ngrënë drekë e darkë ose të shpenzojnë më shumë para duke u ushqyer jashtë shtëpisë.

Kjo fundjavë nuk ka qenë e ngrohtë për një pjesë të mirë të kryeqytetasve. Një pjesë e tyre janë mbështjellë, kanë fjetur gjumë më herët se zakonisht, ndërsa amvisat janë shqetësuar edhe më shumë duke lënë pezull punët për ditën apo javën e ardhshme. Asnjë deklaratë zyrtare nuk ka pasur lidhur me kufizime të energjisë apo njoftime për orare të caktuara ku mund të ishin parashikuar remonte, kjo pasi për një pjesë të tyre do të shënohej fundi i riparimeve ditën e shtunë.

OST ka punuar në linjën 110 kv Tiranë-Uzina traktori. Për shkak të këtyre punimeve nuk kanë pasur energji elektrike për orë të tëra në një pjesë e mirë të lagjeve të Tiranës.

Moti i keq ka rënduar edhe më shumë situatën. Si pasojë e motit të keq ka pasur probleme në disa filtra ajrorë, duke sjellë edhe avari të shumta.

Me privatizimin e OSSH-së qytetarët ishin bindur se do të kishin përmirësim në rrjetin e furnizimit me energji elektrike. Madje sipas deklaratave këtë vit nuk do të kishte kufizime dhe mungesa të energjisë. Gjatë javës së kaluar, një pjesë e periferisë së Tiranës, zonave të qendrës, janë përfshirë nga mungesa e energjisë për orë të tëra, lagje të caktuara nuk kanë pasur drita për më shumë se 24 orë. Komuna Dajt, zona e Kinostudios, Tregu Elektrik, Ali Demi, Rruga Bardhyl, Rruga Elbasanit, Qyteti i Studentit, Komuna Kashar, Farka. Qeveria shqiptare ka miratuar kontratën e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë. Me privatizimin e OSSH-së pritet të përmirësohet ndjeshëm cilësia e furnizimit me energji të konsumatorëve. Nga ana tjetër, blerësit e OSSH-së pritet të përmirësojnë edhe dy treguesit kryesorë, që janë ulja e nivelit të humbjeve të energjisë dhe rritja e nivelit të arkëtimeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›