Kukës, me romët që mbetën pa çadra nga stuhia e së shtunës
Rreth 30 familje rome të vendosur në një kantier gjysmë të braktisur të periferisë së qytetit të Kukësit përjetuan një tmerr të vërtetë dy ditë më parë prej stuhisë së furishme që ua prishi tendat. Benito, 8 vjeç, një nga banorët e kampit të romëve, tregon: "Isha në gjumë bashkë Granitin dhe dy vëllezër më të vegjël kur na zgjoi furtuna dhe njerëzit që bërtisnin. Era kishte marrë tendën dhe ne u bëmë qull përnjëherë. Ikëm duke bërtitur nga tmerri. Jemi bashkuar vetëm aty nga dreka". Ai thotë se ishte futur në një mullar kashte nja 100 metra më tej, ku banojnë disa familje të bardhësh. Benito dhe shokët e tij janë kontingjenti i përditshëm i rrugëve që lypin, ndërsa në ditën e shiut as kanë lypur, por as kanë ngrënë. Një prej tyre, një vajzë me emrin Sona, ka pësuar dëmtime kur është rrëzuar tenda. Gëzimi, i ati, tregon se i ka rënë përsipër një nga shtyllat e tendës duke i thyer një këmbë. "E kemi ngjeshur sipas mënyrës tonë dhe do ta marrë veten. Nuk para shkojmë nëpër vizita ne", thotë ai për të bijën 3 vjeçe, që ecën duke çaluar. Dje romët kanë ringritur tendat e tyre prej druri, plastmasi dhe kartoni. Askush nuk është kujtuar për ta, as në ditën e një furtune të tillë që shkaktoi shumë dëme në Kukës. Ata tregojnë se do të mirëprisnin çdo ndihmë nga shoqatat humanitare apo shteti, por askush nuk ka treguar vëmendje për ta. "Ne vdesim urie kur bën mot i keq, u thuaj or burrë atyre të qeverisë të na japin një thes miell, se edhe ne njerëz jemi, sëmuremi njësoj si të tjerët dhe po të kemi punë punojmë", thotë Shyqyriu 35 vjeç. "Ndoshta nuk e dinë që ekzistojmë, se kështu jemi ne, kam plot 12 vjet që jetoj në Kukës dhe ende nuk e di se çdo me thënë ndihmë nga bashkia apo dikush tjetër, edhe vetë shoqata jonë rome na ka harruar", tregon Shpresimi, një burrë rreth 55 vjeç. Romët e periferisë së Kukësit vijnë kryesisht nga lagjet e Fushë-Krujës si dhe vende të tjera përfshi Shkodrën dhe Malin e Zi. Ka nga ata që prej shumë vitesh nuk janë kthyer më në bazën e vjetër. Hapja e kufirit me Kosovën në vitin 1999 ka qenë një shans edhe për romët që lypin, pasi në Prizren gjejnë për të ngrënë dhe lypja gjatë ditës e një grupi familjar apo secilit veçmas asnjë herë nuk i lë pa gjë, siç tregojnë ata. Në Kukës i vetmi kontakt me faktorë të shoqërisë ka qenë një pronar hangarësh nga Shtiqni, që u ka lëshuar një territor gjysmëurban ku kanë ujë të pijshëm, dhe për ndonjë edhe rrymë elektrike. Bashkia e qytetit, siç u shpreh një nëpunës, nuk ndjen ndonjë detyrim për ta. Të njëjtin qëndrim mbajnë edhe shoqatat e cilësuara si humanitare. "Nuk figurojnë askund, në asnjë regjistër, si t‘i ndihmojmë ata", tha një vullnetar i Kryqit të Kuq, duke shtuar se "kemi plot familje nga qyteti që jetojnë limitet e varfërisë dhe nuk kemi kapacitet t‘u shkojmë në ndihmë".