E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeqyteti feston zhurmshëm 20-vjetorin e rihapjes së ambasadës amerikane

03/10/2011  Arvizu falënderon shqiptarët. Basha mirënjohje SHBA-së për NATO-n e Kosovën

Kryeqyteti ka nisur gjatë ditës së djeshme festimet për 20-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Festimet e çelura në rrugën pedonale “Murat Toptani”, kanë mbledhur me qindra vëzhgues, të cilët kanë vizituar panairin e rrugës, teksa është parashikuar që përgjatë gjithë javës të ketë aktivitete të tjera festive ku të gjitha grupmoshat do të mund të festojnë dhe të argëtohen me minikopshtin zoologjik, lodrat për fëmijë, apo dhe bandat e ndryshme muzikore që janë përzgjedhur për të performuar. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar të dy vendeve, në rrugën pedonale ka parakaluar dhe Banda e Marinës së Shteteve të Bashkuara, e cila ka ardhur enkas për këtë aktivitet festiv. Çelja e festimeve është bërë nga ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, i cili së bashku me kryebashkiakun Lulzim Basha kanë sjell në vëmendje marrëdhëniet e krijuara ndërmjet dy shteteve që nga rihapja e ambasadës në 1991. Krahas mirënjohjes së treguar për policinë e bashkinë, që po ndihmojnë në organizimin e kësaj jave festive, ambasadori Arvizu është shprehur se “20 vjet më parë u shënua një risi të re për këtë vend. U shënua nisje e re për ambasadën amerikane këtu në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve ju na keni sjellë në shtëpitë tuaja, zemrat tuaja, zyrat tuaja dhe na keni lejuar që të bëhemi pjesë e arritjeve tuaja të mrekullueshme gjatë këtyre viteve. Dhe ajo që ju keni bërë gjatë këtyre 20 viteve na keni lejuar që të bëhemi pjesë e së ardhmes suaj. Ju falënderoj!” Kryebashkiaku Basha është shprehur se kjo përbën një ngjarje të madh për kombin tonë në këto 20 vjet partneritet dhe miqësi, ne kemi shumë arsye për të shprehur mirënjohjen tonë për SHBA, për rolin vendimtar që këto shtete kanë dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për mbështetjen e fuqishme dhe vendimmarrëse të SHBA në anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, NATO, dhe më lejoni këtu të kujtojmë së bashku qindra djem shqiptarë që shërbejnë krah për krah bijve amerikanë në mbrojtje të lirisë anembanë rruzullit”, ka konfirmuar Basha. Aktivitetet festive do të vijojnë përgjatë gjithë javës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›