E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeqyteti pa varreza. Rrezikon te mbyllet edhe Tufina

E vetmja varrezë në Tiranë, ajo e Tufinës, rrezikon të mbyllet. Në këtë varrezë shikon pllaka varri me shumë emra të mbivendosur, çka do të thotë se në të njëjtin vend janë varrosur disa njerëz. Por situata është dhe më problematike kur edhe rrugët mes parcelave tashmë nuk janë të lira.

Kjo situatë kritike ka shqetësuar jo pak shërbimet funerale private të cilat e bëjnë edhe më alarmante situatën teksa tregojnë se qytetarët prej kohësh kanë filluar të blejnë tokën, ndërkohë që rritja e numrit të vdekjeve në Tiranë, si pasojë e shtimit të popullsisë nga viti në vit ka sjellë këtë problem që kërkon zgjidhje emergjente.

“Tufina edhe dy javë i përballon dhe s’ka më. Sharra ka një vit që është e mbyllur. Janë mbushur prrojet dhe vend nuk ka më. Qytetarët në vend të qajnë njeriun më të afërt që ka vdekur po qajnë vendin ku ta fusin. Po të bjerë shi, prroi i merr dhe i nxjerr jashtë”- thotë Gasper Peci, administrator shërbimi funeral.

Në shtatorin e vitit të kaluar u mbyllën varrezat e Sharrës, pasi kapacitet e saj kaluan çdo lloj kufiri. Që prej asaj kohe  Tufina ka qenë i vetmi vend ku janë varrosur trupat e pajetë. Numri i vdekje në ditë në Tiranë shkon mesatarisht 10- 12.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›