Kryertarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vijoi sot në Fier turin “Gratë për gratë”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në kuadër të turit të saj "Gratë për gratë" zhvilloi dje një vizitë në qytetin e Fierit, ku pati takime me përfaqësuese të komunitetit të grave që operojnë në fusha të ndryshme si në shëndetësi, biznes, arsim etj. Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, kryetarja Topalli vizitoi Spitalin Obstetrik-gjinekologjik të këtij qyteti, në kuadër të ndërgjegjësimit për kujdes shëndetësor të grave. “Gratë firake janë një model për ndërgjegjësimin e të gjitha grave të tjera të Shqipërisë për kontrollin shëndetësor. Unë ju inkurajoj që ju të mbështesni shoqet, koleget dhe vajzat tuaja që të jeni të kujdesshme për shëndetin, pasi nëna është misionarja e trashëgimisë së jetës", tha znj. Topalli në vizitën e saj në këtë spital, i cili shumë shpejt do të pajiset me aparatin e Mamografisë. Një nga gjinekologët e njohur të qytetit të Fierit, Besnik Ibrahimi, vlerësoi si jashtëzakonisht të rëndësishme, fushatën ndërgjegjësuese që Kryetarja e Kuvendit, po bën me gratë e çdo qyteti dhe komune, për rrezikun e tumoreve tek gratë. Në vijim të turit të saj, znj. Topalli vizitoi disa biznese që drejtohen në mënyrë të suksesshme dhe me pasion nga gra. Në kompleksin arsimor parashkollor nëntëvjeçar dhe të mesëm jo publik , "Numani" me 950 nxënës, Kryetarja e Kuvendit, zhvilloi një bisedë të ngrohtë me arsimtarët dhe të rinjtë e kësaj shkolle. Ajo iu përcolli nxënësve mesazhin se vetëm me dije e kulturë ata mund të konkurrojnë me shanse të barabarta, me bashkëmoshatarët e tyre në Europë. Ndërkohë, ajo vizitoi dhe një fermë private bujqësore, ku vlerësoi pasionin e pronares së saj, Bardha Begaj për të kultivuar farën bio të perimeve. Në këtë kuadër ajo u shpreh për nevojën e forcimit të politikave subvecionuese të shtetit, ndaj fermerëve.
...