Presidenti topi përshëndeti sot në Konferencën Kombëtare “Familjet e mëdha fisnike shqiptare”
Presidenti Bamir Topi, përshëndeti sot në Konferencën Kombëtare, " Familjet e mëdha fisnike Shqiptare", që u organizua në Tiranë. Presidenti tha se "Familjet e mëdha fisnike shqiptare zënë fill herët në Mesjetë me principatat arbërore, për të kulmuar me familjen e Kastriotëve dhe Skënderbeun, dhe pas tij ato ripozicionohen sipas rrjedhave historike, në të cilat përfshihet faktori shqiptar." Shekuj më parë, tha Topi, më 17 Janar të vitit 1468, Kryezoti i Arbërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ndahej nga jeta për t’u bërë personazhi më i gjallë i gjithë historisë së Shqiptarëve. Fan Noli, që dha e mori me të gjatë, thuajse tërë jetës, pohoi se , “Nganjëherë pyes veten nëse mund të ketë sot ndonjë njeri që të jetë po aq i gjallë sa Skënderbeu”"? Duke folur për figurën e Skënderbeut, Topi tha se " Ai ishte realiteti, modeli dhe simboli i një kauze të shenjtë, i lirisë kundër robërisë. Ai ishte Prijësi i një lufte të drejtë, heroike e mbrojtëse si dhe burri i shtetformimit. Efektet e këtij kontributi nuk u zbehën asnjëherë. Ato ishin brumi i Rilindjes kombëtare deri në nëntorin e vitit 1912, në përpjekjen sublime për Pavarësi dhe shtet shqiptar, thelbi i identitetit kombëtar dhe i vetëdijes bashkëkohore. Ideja e luftës çlirimtare me Skënderbeun, u bë realitet madhështor, e njëkohësisht trashëgimi shpirtërore, me të cilën përballuam sfidat e rënda të kohërave." Ai tha se, " Ndonjë mendje e robëruar, e pajisur me një guxim regresiv, përpiqet sot të tjetërsojë rolin e Skënderbeut në historinë tonë apo në historinë e qytetërimit Europian. Kjo është një përpjekje e mjerueshme, sepse historia nuk pranon leksione: ajo jep leksione. Hipotezat e humbasin terrenin përballë fakteve. Interpretimi kërkon moralitet të lartë dhe profesionalizëm." Sot, tha Topi, shqiptarët në të gjithë hapësirën ballkanike, e shohin Skënderbeun dhe Arbërinë e tij, si një model të madh integrues në familjen e popujve të Europës së bashkuar. Falë tij, historia jonë e asaj periudhe është pjesë e lavdishme e historisë së Europës e sigurisht Skënderbeu, një personazh shumë i spikatur i saj. Në fjalën e tij, Presidenti Topi, u ndal edhe te, "Familjet e mëdha në Shqipëri, që nuk u bënë të tilla vetëm nga rangu shoqëror, që trashëguan, apo pasuria, por mbi të gjitha për shërbimet, që bënë ndaj vendit në momente të vështira, kur prej tyre kërkohej sakrifica. Ato i dhanë çdo gjë kombit dhe nuk pretenduan të merrnin nga ai. Shohim pasardhësit e këtyre familjeve, tek lënë shenjën e devotshmërisë ndaj atdheut dhe kombit kudo ku ata kontribuan gjatë konsolidimit të shtetit shqiptar të para luftës. Në debatin politik, në administratë, në diplomaci e ekonomi, ushtri e arsim duke sjellë përvojat perëndimore të vendeve ku u shkolluan." Ai u ndal edhe te goditja e elitave tradicionale, politike, intelektuale, ekonomike në sistemin komunist, që synonte të prishte komunikimin e popullit shqiptar me pikat e referimit. "Komunistëve u duhej që të shpikej “Armiku i klasës apo i popullit” dhe për këtë stigmatizuan dyert e mëdha shqiptare. Si pasojë ata provuan asgjësimin fizik, burgun, internimin, konfiskimin e pronës, humbjen e të gjitha të drejtave, veprime këto me pasoja afatgjata të mirëmenduara."-tha Topi. Personalisht, tha Topi, në cilësinë e Kreut të Shtetit, nuk do t’i resht përpjekjet që këto familje të gjejnë vetveten në shoqërinë shiptare, sepse Shqipëria, për t’u bërë më e mirë, si gjithmonë, ka nevojë për kontributin tuaj.
...