E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin përgatitjet në Vlorë për 165 vjetorin e lindjes së Ismail Qemalit

Në qytetin e Vlorës kanë nisur përgatitjet për disa aktivitete, në përkujtim të  165-vjetorit të lindjes dhe 90-vjetorit të vdekjes së patriotit dhe themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali, të cilat do të organizohen në 23 janar. Në Muzeun e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare në Vlorë, ku në 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar dhe shpalli mëvetësinë e Shqipërisë, po përgatitet çelja e një fotoekspozite me materiale rreth  aktivitetit  patriotik të Ismail Qemalit, ndërsa do të zhvillohen dhe aktivitete të tjera, mes të cilave, edhe një konferencë shkencore. Drejtori i Muzeut, Krenar Shtino, tha se, "në këtë fotoekspozitë, synojmë të japim të plotë figurën e Ismail Qemalit dhe aktivitetin e tij patriotik, në shërbim të çështjes kombëtare. Pjesë e saj do të jetë jo vetëm aktiviteti i tij në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, por edhe periudhat para dhe pas këtij momenti të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë". Kjo fotoekspozitë, pritet të jetë e para që do të japë në këto dimensione figurën e patriotit dhe kryeministrit të parë të Shqipërisë pas shpalljes së Pavarësisë. Materialet që do të vendosen në këtë ekspozitë, janë pjesë e fondit të Muzeut të Pavarësisë Kombëtare, ndërsa një pjesë e tyre janë dhurime nga qytetarë të ndryshëm, pasardhës të emrave të njohur në historinë e Shqipërisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›