E Shtunë, 31 Tetor 2026

Odhisa Paskali ringjallet përmes ekspozitës me punimet e tij

Skulptori i popullit, Akademiku, Nderi i kombit, Odhise Paskali, u kujtua sot në 105 vjetorin e lindjes së tij, mes dashamirësve në një ekspozitë të titulluar “Ringjallja e Paskalit”. Kjo ekspozitë u çel në ambientet e Muzeut Kombëtar, nën  kujdesin e së bijës, studiueses së artit Floriana Paskali. Këtu janë paraqitur 25 punime të skulptorit, të cilat janë kuruar nga Leonardo Voci. E bija e skulptorit u shpreh se “ tani erdhi momenti për të nxjerrë para dashamirësve punët e babait, pasi një pjesë e madhe e tyre janë rimbledhur, restauruar, përpunuar dhe kuruar, sepse ato ishin të shpërndara dhe jo të mirëmbajtura”. Në stendat e kësaj ekspozite gjenden një sërë e punëve të skulptorit ndër të cilat mund të veçojmë: Medaljon i Ismal Qemalit 1973, vëllezërit Frashëri 1973, Puthja 1935, Medaljon i Bethoven 1956, 3 Medaljone të Skënderbeut në vitet 1973-1974, etj. Punimet e skulptorit Odhise Paskali gjenden sot dhe në faqet e kartmonedhave, përkatësisht: Busti i Skënderbeut në kartmonedhën 1000 lekëshe, Busti i Naim Frashërit në kartmonedhën 500 lekëshe, monumenti Luftëtari i kombëtar në kartmonedhën 100 lekëshe, monumenti i Skënderbeut në 5000 lekëshe. Në ditën e hapjes së ekspozitës u promovua dhe një botim me ese dhe shënime të Odhise Paskalit, i titulluar “Shpirti im i ripërtërirë”. Për këtë e bija shprehet se “ zgjodha që të botoja këto ese, pasi nuk doja që ta mbaja pasurinë që më la im atë, vetëm për vete, por ta ndajë atë më të gjithë.” Ekspozita me punimet e skulptorit Odhise Paskali do të qëndrojë e hapur deri në datën 17 Prill, plot tre muaj. Odhise Paskali, Skulptor i popullit, Akademik, Nder i kombit, lindi në Kozhan të Përmetit më 1903. Pasakali morri mësimet e para nga i ati që ishte prift dhe mësues në fshat. Shkollën fillore e përfundoi në Përmet. Më pas në 1916 u nis për në Itali, ku kreu liceun. Në vitin 1920 filloi studimet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Universitetin Mbretëror të Torinos. Më 1927 u diplomua në fushën e Historisë së Artit. Skulptura e cila do ta bënte Odhise Paskalin skulptorin më të njohur të Shqipërisë, ishte Luftëtari Ndërkombëtar, në qytetin e Korçës. Disa prej punimeve të tij janë: Flamurtari në Vlorë 1932, Mihal Grameno në Korçë 1932, Çerçiz Topulli në Gjirokastër1934, Skënderbeu në Kukës1939, Misto Mame 1948, Vojo Kushi 1949, Partizani Çlirimtar 1964, Shokët 1964, Dy heroinat 1974, Idriz Seferi 1980, etj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›