E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e PS-së: Kundër maxhoritarit, pro proporcionalit

Kryesia e Partisë Socialiste ka zhvilluar dje një mbledhje maratonë në qytetin e Kurbinit. Kreu i PS-së ka thirrur anëtarët e Kryesisë në një mbledhje, e cila ka zgjatur disa orë me radhë dhe ku në qendër të vëmendjes ka qenë reforma zgjedhore. Kryesia e PS-së është shprehur se në propozimet e saj do të kërkohet të hiqet dorë nga sistemi maxhoritar dhe të kalohet në një sistem proporcional. Drejtuesit më të lartë të PS-së janë shprehur qartazi për variantin e proporcionalit rajonal, por duke mos e përcaktuar përfundimisht llojin e këtij proporcionali. Ndërkaq, organi më i lartë politik i PS-së ka nënvizuar se listat e hapura janë të papërshtatshme dhe kundër rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, duke lënë të kuptohet se gjatë procesit të reformës elektorale do të kërkohet që listat të jenë të mbyllura. Kryesia e PS-së ka vlerësuar nevojën e konsolidimit të rolit lider të PS-së në kryerjen e reformave dhe në përmbushjen e angazhimeve ndaj vendit dhe ndërkombëtarëve. Anëtarët e Kryesisë bënë të ditur se qëllimi kryesor i kësaj force politike gjatë procesit të reformës elektorale do të jetë përpjekja për t’u ndarë një herë e mirë nga rrugë të deformuara zgjedhore që kanë kompromentuar rëndë përfaqësimin e bindjeve dhe zgjedhësve në Shqipëri, duke cenuar cilësisht vullnetin e popullit.

28 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›