E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja, polemika me KLD-në

Partia Socialiste ka shkëmbyer dje polemika në distancë me institucionin e pavarur të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kryetari i Komisionit të Ligjeve në PS, Ylli Manjani, akuzoi nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu, se me turin e shpallur prej tij në gjykatat e vendit ka shtuar mosbesimin e shqiptarëve në sistemin gjyqësor. “Unë jam këtu sot për t’i bërë thirrje të paktën pjesës gjyqësore në përbërje të KLD-së, që të kthejnë në normalitet kushtetues funksionimin e këtij institucioni. KLD nuk mund të sillet si komisariat policie, që kontrollon gjykatat me operacione të koduara, siç është edhe ky i fundit që e titulluan “Maratona e Drejtësisë”. Kjo është praktikë që nuk ndihmon aspak përmirësimin e klimës së besimit të njerëzve te Gjyqësori, por e përkeqëson atë deri në shkatërrim të plotë”, - tha Manjani. Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i institucionit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Drejtori i projekteve në KLD, Erlis Themeli, deklaroi: “Këshilli i Lartë i Drejtësisë u rekomandon partive politike dhe zërave të saj periferikë të pranojnë më shumë frymën kushtetuese dhe të respektojnë më shumë parimin e ndarjes së pushteteve. Në analizat maratonë të gjykatave të të gjitha niveleve, ku janë përfshirë të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, janë evidentuar probleme dhe ofruar zgjidhje në një frymë profesionalizmi dhe bashkëpunimi me Gjyqësorin”.

28 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›