Reforma zgjedhore, të vegjlit votë kundër proporcionalit rajonal
Partitë e vogla do të mbledhin Komisionin për Reformën Zgjedhore. Ato do të shpallin nesër qëndrimet e tyre për çështjet e zgjedhjeve
Shaban Sulçe
Partitë e vogla parlamentare do të organizohen sot për të unifikuar qëndrimin e tyre kundër sistemit proporcional rajonal, të propozuar nga Partia Socialiste, dhe që sipas pretendimeve të tyre, pritet të mbështetet edhe nga Partia Demokratike.
Të vegjlit do të mblidhen në Komisionin e Reformës Zgjedhore, ku pavarësisht mungesës së dy bashkëkryetarëve atij socialistë Kastriot Islami dhe atij të PD-së, Ilir Rusmali, do të përpiqen për të zhbllokuar punën në këtë komision. Ata do të shfrytëzojnë një prej pikave të rregullores, e cila parashikon se 1/3 e anëtarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore ka të drejtën të kërkojë mbledhjen e tij. Sipas burimeve në komision, të vegjlit do të kërkojnë nga dy partitë e mëdha, PS e PD, që të marrin parasysh propozimet e tyre për reformën zgjedhore. Pika kryesore ku do të fokusohet zhvillimi i mbledhjes së nesërme është e lidhur me çështjen e sistemit elektoral. Burimet për gazetën “Albania” thanë se partitë e vogla parlamentare do të dalin nesër të gjitha në bllok, kundër propozimit të bërë nga PS-ja për përdorimin e sistemit proporcional rajonal. Në fakt, pothuajse të gjitha partitë e vogla e kanë kundërshtuar këtë sistem. Pas deklaratave të partive të vogla të së majtës, edhe partitë e shumicës, si PDK, LDK (të martën) dhe PBDNJ (dje), kundërshtuan sistemin proporcional rajonal.
PBDNJ
Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, u shpreh kundër sistemit proporcional rajonal. Dule përkrahu sistemin aktual, duke e argumentuar se ai asnjëherë nuk është provuar në mënyrë të mirëfilltë. “PBDNJ është shprehur qartë si në Parlament, ashtu edhe në media, se jemi kundër rishikimit të një sistemi zgjedhor, siç është varianti aktual kushtetues, në një kohë që ai nuk është provuar realisht. Kemi pasur gjithmonë devijime të tij, por asnjëherë një implementim të mirëfilltë të tij. Nuk ka asnjë argument pse duhet larguar nga një sistem, i cili nuk është provuar. Ne mendojmë se sistemi aktual garanton më së miri interesat e stabilitetit qeverisës”, - tha Dule.
Kreu i PBDNJ-së tha se procesi i integrimit të vendit rrezikohet nëse PD-PS do të vendosin vetë për reformën zgjedhore. “Me qëllim që të kemi një normalitet politiko-elektoral në vendin tonë, do të ishte një nonsens që do të sillte çrregullime afatmesme pse jo dhe afatgjata, dhe do të ndikonte negativisht në fatet integruese në vendin tonë, nëse në mënyrë të njëanshme, dhe në këtë rast e kam fjalën për PD-PS, do t’i imponohej Parlamentit dhe elektoratit për zgjedhjet politike të radhës.
Pasojat e proporcionalit rajonal
Nëse në vendin tonë zgjidhet një sistem proporcional rajonal, vështirësia qëndron në faktin se ai ka pak shanse të jetë me listë të hapur. Kjo për faktin se një listë e hapur e komplikon shumë procesin e votimit, procesin e numërimit, si dhe rrit ndjeshëm përqindjen e votave të pavlefshme. Në tërësi, proporcionali rajonal me listë të hapur nuk ofron garanci për një proces të rregullt zgjedhor. Sa më i madh të jetë numri i rajoneve, ose sa më i ulët të jetë numri i deputetëve që zgjidhen për rajon, aq më e vështirë është për partitë e vogla që të përfaqësohen në Kuvend. Nëse Kuvendi shqiptar do të ketë 100 deputetë, të cilët do zgjidheshin nga 20 rajone, pra 5 deputetë për rajon, atëherë një partie politike në një rajon të caktuar i duhen 20% të votave për të fituar një deputet. Nëse bëhet fjalë për 10 rajone me nga 10 deputetë secili, atëherë kjo përqindje bëhet 10%. Praktikisht i bie që pragu elektoral për t’u futur në Parlament është 20%, kurse në rastin e dytë 10%. Praktikisht kjo do të thotë eliminim tërësor i partive të vogla nga skena politike. Proporcionali rajonal mbart probleme dhe sa i përket aspektit qeverisës, pasi rrezikon të prodhojë rajonalizim të qeverisjes. Kjo do të thotë se në Parlament dhe në qeveri të theksohen nuancat rajonale apo krahinore, që janë të dëmshme për qeverisjen në përgjithësi.
28 Shkurt 2008