Sondazhi i BSH-së: “Kreditë me probleme, 80 milionë USD”
Kreditë me probleme në sistemin bankar shqiptar janë rritur ndjeshëm, duke arritur vlerën 80 milionë USD. Këto janë të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë që i përkasin muajit qershor 2007. Në fund të vitit 2006, shifra e kredisë me probleme ishte vetëm 60.4 miliardë lekë ose 64 milionë USD dhe 33 milionë USD në fund të vitit 2005. Kjo rritje e kredive me probleme ka alarmuar BSH-në, e cila në raportin e saj të fundit mbi "Zhvillimet ekonomike 2007" nënvizon faktin se bankat po tregohen agresive me njëra-tjetrën, me synim kontrollin e tregut. Duke mos marrë shumë në konsideratë problemet që lindin nga niveli i lartë i kredidhënies, të 17 bankat që operojnë aktualisht në treg janë duke u përballuar me klientë "problematikë", të cilët kanë përfituar kredi rreth 80 milionë USD. Nga këto, rreth 8 milionë USD u përkasin kredive me probleme për pasuri të paluajtshme. Kështu, gjatë vitit 2006, teprica e kredisë së sistemit bankar shënoi një rritje me 720 milionë USD kundrejt 600 milionë USD në fund të vitit 2005. "Kjo vjen si rrjedhojë edhe e një agresiviteti më të madh të treguar nga bankat e sistemit nëpërmjet ofertave promocionale "joshëse" për kredi për pasuri të paluajtshme", - vijon raporti i BSH-së. Edhe kredia me probleme për pasuri të paluajtshme shënon një rritje të konsiderueshme për periudhën dhjetor ‘05-dhjetor‘06, duke arritur në 8 milionë USD ndaj 2.2 milionë USD gjatë vitit 2005, me një rritje prej 182.56 për qind. Ndërsa vëllimi i kredisë për pasuri të paluajtshme gjatë vitit 2006 është rritur me rreth 230 milionë USD ose 131 për qind në krahasim me vitin paraardhës, ku peshën kryesore e zë sektori i individëve me 80 për qind. I njëjti ritëm vërehet edhe për 6-mujorin e parë të vitit 2007. Sipas BSH-së, ritmi i konsiderueshëm rritës i tepricës së kredisë është reflektuar edhe në ndryshimin e strukturës së kredisë sipas afatit. Kështu, kredia afatshkurtër shënoi një rënie prej 0.7 për qind, duke u zhvendosur drejt asaj afatmesme, e cila shënoi një ritëm të lehtë rritjeje me rreth 0.18 për qind.
28 Shkurt 2008