Meta: Sistemi spanjoll, manipulim zgjedhjesh
• “Sistemi proporcional spanjoll është një komplot për demo-kracinë”. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, mblodhi dje Komitetin Drejtues Kombëtar për të mbështetur daljen nga koalicioni me PS-në dhe krijimin e koalicionit të ri “E Majta për Integrim”.Aristir Lumezi “Modeli aq i dëgjuar edhe kohët e fundit, ai spanjoll, që lidershipi PS-PD gatuan në mënyrë të fshehtë dhe ku synonin ta paraqisnin në një seancë blic në Parlament, është një komplot i vërtetë për demokracinë shqiptare”, tha Meta. Duke bërë të njohura shkaqet që çuan në krijimin e koalicionit të ri “E Majta për Integrim”, kreu i LSI-së, Ilir Meta, vuri në dukje se, “lidershipi i PS-së nuk ka mësuar asnjë gjë nga dështimet e lidershipit të mëparshëm të PS-së”. “Na vjen keq që koalicioni i vjetër opozitar nuk e kreu misionin e tij dhe as objektivat politike që ai caktoi. Ai pushoi së ekzistuari realisht pas zgjedhjeve vendore të vitit 2007. Në këndvështrimin e lidershipit të PS-së, qëllimi i tij ishte afatshkurtër, fitorja jo e zgjedhjeve nga e majta, por fitorja e Bashkisë së Tiranës”, tha Meta. Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se, “pas zgjedhjeve vendore të vitit 2007, pushteti i fituar pjesërisht nga e majta, nuk u administrua sipas kontributeve që u dhanë për fitoren e të majtës, si pasojë e mungesës së këtij bashkëpunimi dhe sindromës së vjetër të arrogancës që karakterizon lidershipin e PS-së”.Duke sqaruar se LSI-ja nuk po e prish koalicionin për shkak të interesave të ngushta partiake, Meta theksoi se, “koalicioni dështoi në realizimin e një qëndrimi të përbashkët për çështjen themelore të reformës zgjedhore”. Meta ka bërë përgjegjëse PS-në për bllokim të qëllimshëm të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. “PS-ja mban përgjegjësinë kryesore për bllokimin e Komisionit parlamentar të Reformës Zgjedhore që ajo e bashkëkryeson, pasi në vend të funksionimit institucional të këtij komisioni ku përfaqësohen të gjitha partitë parlamentare, ajo për fat të keq zgjodhi marrëveshjen e fshehtë me PD-në si një alternativë ndaj zgjedhjeve konsensuale parlamentare dhe njëkohësisht ndaj marrëveshjes së shkelur me partitë opozitare për reformën zgjedhore”, tha Meta. Sipas tij, “modeli spanjoll i proporcionalit rajonal është një deformim i qëllimshëm i sistemit proporcional, ndërkohë LSI ka qenë dhe mbetet e hapur që qytetarët të zgjedhin jo vetëm partitë, por edhe kandidatët”. “Por në mënyrë të veçantë koalicioni dështoi në realizimin e një qëndrimi të përbashkët për çështjen themelore të reformës zgjedhore. Lidershipi i PS-së, jo vetëm që nuk i është përgjigjur shqetësimit të vazhdueshëm të LSI për realizimin e kësaj reforme, që menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2005 unë i kërkova takim kryetarit të PS-së për këtë qëllim, gjë që u refuzua prej tij”, tha Meta. Kreu i LSI-së në fjalën e tij para anëtarëve të KDK-së, tha se LSI do të vazhdojë përpjekjen për të kontribuar që reforma zgjedhore të jetë e ndershme, që Shqipëria të mos humbasë shansin për të fituar ftesën për anëtarësimin në NATO. Deklaratat e Metës vijnë pas shkëputjes së LSI nga koalicioni opozitar me PS-së, në të cilën qëndroi që prej vitit 2006. Por kulmi i bashkëpunimit të koalicionit opozitar ishin zgjedhjet për pushtetin vendor, shkurt 2007, në të cilat u fituan bashkitë më të mëdha të vendit bashkë me Bashkinë e Tiranës.