E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta takime në Korçë

Korçë- Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi sot paradite Konferencën e Lëvizjes së Gruas për Integrim në Qarkun e Korçës. Qindra gra dhe vajza korçare ishin mbledhur në Teatrin e Korçës "Andon Zako Çajupi". Gjatë fjalës së tij, Meta theksoi se filozofia e LSI-së, është bashkëqeverisja me të gjithë korçarët dhe me të gjithë shqiptarët.

“Ne do t'i japim prioritet në mënyrë të veçantë punësimit të grave. Lehtësirat për bizneset për detyrimet financiare do të jenë shumë të mëdha për gratë, dhe për kryefamiljarët, të cilat janë të detyruar të mbajnë familjet dhe fëmijët e tyre. Ne do të bëjmë gjithçka që gruaja shqiptare të jetë në gjendje të përballojë kërkesat e fëmijëve të tyre për një jetë më të mirë. Ne si alternativë kryesore për të dalë vendi nga varfëria kemi punësimin jetik”-tha ndër të tjerash kreu i LSI-së.

Meta u shpreh se PD dhe PS i ka zënë paniku, sepse këto forca të vjetra nuk ofrojnë asgjë serioze përveç mashtrimeve pafund që shikoni në spotet e Qeverisë Berisha, dhe në spotet e Bashkisë së Tiranës. Miliona euro po harxhohen nga paratë e taksapaguesve të Shqipërisë apo të Tiranës, për t’i mbushur mendjen shqiptarëve për sukseset e padiskutueshme që kanë realizuar gjithë kësaj kohe.

“Janë spote të neveritshme, që duhet t’i mbushin mendjen pensionistëve që gjoja po jetojnë më mirë pas katër vjet qeverisjeje të Sali Berishës. Ata kujtojnë se pensionistët mund të ushqehen me statistikat e tyre mashtruese për gjoja rritjen e pensioneve, kur vetëm dy javë më parë mazhoranca e Sali Berishës rrëzoi pa asnjë argument një projektligj të shkëlqyer, human, realist dhe krejtësisht të përballueshëm nga buxheti i shtetit, sikurse ishte p/ligji i propozuar nga LSI-ja, atë që nuk bëri asnjë forcë tjetër politike në këto 19 vjet tranzicion”-theksoi Meta.

Më pas lideri i LSI u shpreh se, ne duhet të ndahemi njëherë e mirë nga Gërdec-Qeveria, nga morali që ajo përfaqëson, e cila ka si qëllim vetëm fitimet kolosale të Sali Berishës, të familjes së tij dhe të gjithë klanit të tij, dhe që ka si pasojë varfërimin e gjithë familjeve shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›