E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për urbanistikën, rrezikohen lejet e ndërtimit

Sipas inxhinierit, nuk janë të përcaktuara qartë se cilat janë kompetencat e kryebashkiakut dhe të drejtorisë së urbanistikës

ELBASAN Në muajin shtator ka hyrë në fuqi ligji i ri për urbanistikën. Por ky ligj ende nuk është shoqëruar me udhëzimet dhe aktet nënligjore, duke shkaktuar një situatë të paqartë në Drejtorinë e Zhvillimit Urban në Bashkinë e Elbasanit dhe në të gjitha njësitë vendore të qarkut. Sipas drejtorit të kësaj zyre në Bashkinë e Elbasanit, inxhinier Rajmond Hasballa "ligji 10190 për planifikimin e territorit ka hyrë në fuqi në fillim të këtij muaji, por ende është mjaft e paqartë se si do të vazhdohet më tej, pasi ai nuk është shoqëruar me udhëzimet e nevojshme që do të rregullonin këtë aktivitet". Sipas inxhinier Hasballës, problematika më në detaje është e tillë: Së pari, kompetencat e organeve që do të ndjekin këtë ligj nuk janë përcaktuar, duke filluar nga kryetari i bashkisë dhe në strukturat poshtë tij. Ligji i Planifikimit të Territorit bie në kundërshtim dhe atakon 94 ligje shqiptare. Së dyti, ligji i ri nuk përcakton saktë se cilat do të jenë detyrat dhe kompetencat e Drejtorisë Urbanistike. Pra, nuk është deleguar asgjë. Dhe së treti, thuhet se në ligjin për pushtetin vendor kryetari delegon kompetenca, por në këtë rast nuk ka ardhur asgjë për mënyrën sesi do delegohen këto kompetenca e çfarë do të kërkojë kryetari nga zyra jonë".

Drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Urbanistik në Bashkinë e Elbasanit shpjegon se ligji ka 2 baza themelore: Organizimin dhe hartimin e planit rregullues dhe problematika që del nga dita që ka hyrë në fuqi e në vazhdim deri në miratimin e planit rregullues. Kjo do të thotë se pa një plan rregullues nuk do të jepen leje ndërtimi e kjo periudhë tranzitore mund të zgjasë p.sh. edhe 2 vjet. Gjatë kësaj periudhe askush nuk mund të pajiset me një leje të tillë, çfarë presupozon pushimin e aktivitetit ndërtimor në territorin e bashkisë apo të komunave. Problematikë tjetër është futja sa më shpejt e regjistrave elektronikë për territorin. Ky regjistër duhet të jetë i ngjashëm p.sh. me ligjin që funksionon për tenderat. Kërkohen tre elementë bazë, logjistika dhe ana financiare për të mbuluar këtë logjistikë dhe trajnimet e personelit që do të merren me këtë punë në vijimësi. Ligji është mjaft bashkëkohor, por duhet ende kohë të konkretizohet në vendin tonë. F. Salliu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›