E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kryetari i shtetit e di detyrën e tij, njeh kushtetutën dhe ligjet"

28/03/2005  Presidenti Moisius replikon me krerët e PS-së për caktimin e datës së zgjedhjeve

Presidenti i Republikës ka këmbëngulur dje, në idenë e hedhur prej tij tre muaj më parë se, data e zhvillimit të votimeve duhet të afrohet. Gjatë një takimi në Rrëshen, Moisiu u shpreh se i ka kërkuar që më 22 dhjetor 2004 parlamentit dhe forcave politike, që të gjejnë një zgjidhje ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve. Ndërsa duke iu përgjigjur deklaratave kundërshtuese të socialistëve, kreu i Shtetit ka theksuar se duhet të jetë pikërisht mazhoranca që duhet të reflektojë mbi këtë pikë. Madje me tone të ashpra, ai tha se socialistët nuk mund t'i thonë kreut të shtetit se çfarë mund të ndodhë në rast se merret ky apo ai vendim.

Deklarata

"Të vjen keq kur dëgjon politikanët që janë në pushtet, sepse ata duhet të kujdesen që kjo punë të zgjidhet në mënyrën e duhur, dhe jo të përgjigjen me një mungesë të theksuar respekti ndaj institucioneve shtetërore, e t’i thonë kryetarit të shtetit se çfarë mund të ndodhë me të në qoftë se merr këtë apo atë vendim", tha presidenti i Republikës. Duke vijuar me tone të ashpra, ai ka lënë të nënkuptohet se mund të marrë dhe një vendim për afrimin e zgjedhjeve. "Kryetari i shtetit e di detyrën e tij, e njeh kushtetutën dhe ligjet. Ky shtet, ky popull ka institucionet e tij dhe secili të mbajë mbi shpatulla detyrën e tij”, tha Moisiu. Ndërsa në lidhje me kontradiktën se zgjedhjet e mëparshme janë zhvilluar në muajin qershor, ndërsa këto aktuale po kërkohet të zhvillohen në korrik, Moisiu e ka parë shkakun tek problemet e votimeve të katër viteve më parë. “Dihet nga se u shkaktua kjo anomali. Zgjedhjet e 2001-shit vazhduan deri në mes të gushtit", tha Moisiu. Zgjedhjet e vitit 2001 kanë qenë dhe më të debatueshme, pasi ato kanë zgjatur me 5 raunde dhe janë hedhur akuzat më të ashpra për manipulime.

Debati

Drejtuesit e Partive të opozitës, vetëm pak ditë më parë i kanë kërkuar partive të majta si dhe Presidentit të Republikës, mirëkuptim për afrimin e datës së zgjedhjeve. Sipas tyre, votimet në korrik do të sjellin një numër të vogël të pjesëmarrësve si dhe dëmtimin e sezonit turistik. Por kjo deklaratë ka hasur në kundërshtimin e mazhorancës. Gramoz Ruçi, është shprehur se "do të kemi zgjedhje në afatin e ditur dhe brenda kërkesave të Kushtetutës. Për datën e zgjedhjeve ka një Kushtetutë, por ka dhe një president, i cili ushtron atributet e veta në mbështeje dhe zbatim të Kushtetutës së vendit". Me po të njëjtën frymë janë shprehur dhe drejtues të agrarëve dhe të aleancistëve. Ndërsa për socialdemokratët dhe për përfaqësuesit e LSI-së, zhvillimi i zgjedhjeve në muajin qershor do të ishte një zgjidhje më e pranueshme. Duket se pas reagimit të Presidentit, për këtë çështje do të ketë zhvillime të reja, dhe më të ashpra.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›