E Diel, 1 Nëntor 2026

Partitë të investojnë dhe të mos japin vetëm premtime

28/03/2005  Infrastruktura rrugore, arsimi dhe kujdesi shëndetësor, kanë qenë pikat kryesore të një takimi mes Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, dhe autoriteteve vendore të Mirditës. I ndodhur në Rrëshen për të marrë pjesë në festimet e Pashkëve Katolike, Presidenti Moisiu është takuar me Kryetarin e Bashkisë së Rrëshenit, Preng Toma, Kryetarin e Bashkisë së Rubikut, Mark Ruçi, deputetë të zonës si dhe zyrtarë të tjerë vendorë. Përfaqësuesit lokalë u shprehën se, si rrjedhim i lëvizjes së popullsive drejt zonave të tjera të vendit apo jashtë tij, cilësia e arsimit dhe mësuesve ka rënë. Po kështu, edhe fondet e lëvruara për arsimin janë më të vogla. I njëjti shqetësim u shpreh edhe për sistemin shëndetësor, ku përfaqësuesit lokalë kërkuan më shumë investime. Duke iu përgjigjur shqetësimit të përgjithshëm për vijimin e punimeve në rrugën Durrës-Kukës-Morinë, Presidenti Moisiu tha se i bënte thirrje ekzekutivit që t’i kushtonte më shumë vëmendje kësaj çështje dhe zonave verilindore të vendit në përgjithësi. Presidenti Moisiu tha se përfaqësuesit e zgjedhur duhet të ulen pranë halleve të popullit. "Ata duhet të bëjnë më shumë se të japin premtime elektorale. Ata duhet të japin alternativa të qarta se si do të arrihen premtimet, se si do të ulet varfëria e papunësia", tha Presidenti Moisiu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›