Kryetarja: Këshilloni deputetët për fjalorin
Në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve ka ridalë sërish çështja e etikës parlamentare, pas përjashtimit të deputetit socialist, Taulant Balla, dhe paralajmërimit të deputetit tjetër të opozitës, Saimir Tahiri. Siç theksohet në njoftimin e zyrës së shtypit të Kuvendit, “Kryetarja e Kuvendit u kërkoi kryetarëve të grupeve parlamentare që, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit të respektohet koha e diskutimeve në seancë plenare, e veçanërisht të tregohet kujdes ndaj etikës
parlamentare. Të enjten e kaluar, deputeti Balla u përjashtua dy javë nga punimet vetëm se në fjalimin e tij shfaqi akuza ndaj kreut të qeverisë, Sali Berisha. Në intervistën e dhënë për “Shqip”, Topalli nuk është penduar aspak nga vendimi i marrë, përkundrazi ka paralajmëruar për masa të mëtejshme. “Në ndeshjet e futbollit, kur kalohen limitet, paralajmërohen lojtarët me karton të verdhë dhe në rastin më të rëndë nxirret kartoni i kuq dhe kur shkohet përtej, përjashtohet skuadra”, deklaroi Topalli në intervistën e dhënë për “Shqip”.