E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitrovicë, serbët sfidojnë, Kosovën, përurojnë Kuvendin

Serbët u mblodhën dje në veri të Mitrovicës, duke themeluar Kuvendin paralel në Kosovë, një akt i dënuar nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe i injoruar nga kreu i UNMIK Lamberto Zannier. 

Ky akt shihet si sfidë ndaj qeverisë së Kosovës për shpalljen e pavarësisë dhe miratimin e Kushtetutës. Serbët zgjodhën të nisin punimet e asamblesë në ditën e Betejës së Kosovës të vitit 1389. Serbë nga gjithë Serbia u mblodhën në Mitrovicë për të treguar përkrahje. Anëtarët e Asamblesë u zgjodhën më 11 maj në zgjedhje lokale ilegale. Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare në Prishtinë thonë se kuvendi serb në veri të Kosovës do të jetë i paligjshëm. Policia ka shtuar masat e sigurisë për të parandaluar tensionimin e mundshëm të gjendjes. Presidenti i Kosovës ka paralajmëruar se kjo asamble do të ketë efekt destabilizues në rajon. Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, analistët, por edhe disa përfaqësues serb të Kosovës e kundërshtojnë formimin e paralajmëruar të ashtuquajturit “Kuvend paralel serb”. Zv/kryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, tha se: “Qeveria dhe institucionet e Kosovës, prej kohësh e kanë shpallur këtë tendencë si përpjekje jolegale, që nuk do të prodhojë efekte juridike”. Ndërkohë, përfaqësuesi i listës serbe për Kosovë, Oliver Ivanoviç, e quan një veprim të tillë të parëndësishëm sepse formohet nga partitë opozitare, ajo radikale serbe dhe Partia Demokratike e Serbisë, për qëllime të një grupi të vogël njerëzish. “Ata do të tentojnë të gjejnë mënyrën për ndërtimin e një institucioni, i cili do të kundërshtojë koalicionin e ri në Beograd. Qeveria pro evropiane në Beograd është po ashtu e ndjeshme përballë çështjes së Kosovës dhe se, është e qartë se ata do të tentojnë të veprojnë si forcë opozitare, e cila do të jetë absolutisht e parëndësishme”, tha Ivanoviç. SHPK ka mbikëqyrur situatën duke e vlerësuar kryesisht të qetë. Ndërkohë rreth 2 000 serbë u mblodhën dje në Gamizestan për të festuar Ditën e Vidovdanit, përvjetorin e 619-të të Betejës së Kosovës (1389). Takimi u drejtua nga Patriarku Pavle, Peshkopi Amfilohije, dhe Peshkopi Artemije. Nga politikanët serbë ishin të pranishëm ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samardxhiç dhe ministri i Besimit Radomir Naumov. Dita e Vidovdanit u shënua me slogane “Kosova është Serbi”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›