Ksavi e Iniesta: Mund të ishim larguar nga Barça
Mesfushori i Barcelonës, Ksavi Hernandez, pranoi se në disa raste kishte menduar që të largohej nga klubi katalan. Ky është sezoni i 12 i 30-vjeçarit me “blaugranat” dhe ai është një prej elementëve kryesorë të skuadrës së Pep Guardiolës, e cila fitoi gjashtë trofe brenda një viti. “Në të kaluarën kam menduar disa herë që të largohem nga Barça. Kjo më së shumti në periudhën kur në skuadër luante Pep (Guardiola), i cili kishte të njëjtin rol si unë dhe nuk kisha shumë hapësira për t’u aktivizuar”, tha Ksavi. “Rreth tri vjet më parë, kur trajner ishte Rajkard, humba motivimin dhe nuk punoja si duhej. Nuk e dija nëse klubi do më mbante apo do më shiste”. Edhe ylli tjetër i mesfushës, Andres Iniesta ka pasur mundësi të largohej nga Barcelona, pasi Reali i Madridit kishte shfaqur “një gjysmë interesi për ta blerë”. Megjithatë, lojtari, i cili militon me katalanët prej moshës 12-vjeçare, deklaroi se do të ishte i lumtur që ta mbyllte karrierën në “Kamp Nou”. “Reali ka shfaqur gjithmonë interes për shërbimet e mia, por Barcelona më ka dhënë gjithçka dhe do të isha njeriu më i lumtur nëse do ta mbyllja karrierën te ky klub”, deklaroi 25-vjeçari. Në sfidën e së shtunës kundër Rasing Santander, Iniesta do të regjistrojë ndeshjen e 300 me Barçën.
#