Ksera konfirmoi konstatimet e opozitës
Deklarimet e ministrit të Punës Sociale, Spiro Ksera, në shtypin grek, lidhur me situatën e kultivimit të bimëve narkotike në Shqipëri, konfirmojnë të vërtetën. Sipas deputetit socialist, Asallan Dogjani, realiteti shqiptar ofron një panoramë të zymtë në këtë drejtim për sa kohë që sipërfaqja e mbjelljes së bimëve narkotike është rritur, pa harruar në këtë rast edhe mungesën e një strategjie të mirëfilltë për minimizimin e pasojave sociale që shkakton edhe rritja e fluksit të përdoruesve. “Harta e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike është rritur, madje mund të them se ajo është zgjeruar edhe në qarqe që më parë nuk ishin prekur nga ky fenomen”, deklaroi Dogjani. Sipas tij, problemi është mjaft i mprehtë, sepse ai pasqyron në vetvete një kompleks faktorësh që natyrisht e kanë burimin te politika. Spastrimet në radhët e policisë dhe zëvendësimi i profesionistëve me militantë është një nga arsyet pse lufta për parandalimin dhe goditjen e trafikut ka dështuar. Po kështu, Dogjani ka nënvizuar edhe mungesën e një strategjie për trajtimin e situatës me përdoruesit, të cilët tanimë janë rritur shumë dhe janë bërë një dukuri e zakonshme edhe nëpër shkolla. Nëse këto janë dëshmi të mirëfillta të dështimit të qeverisë në këtë drejtim, deklarimet e Kserës se kjo situatë po penalizon Shqipërinë në liberalizimin e vizave janë pohime politike që flasin për një perceptim të keq të vendit tonë jashtë. Nga ana tjetër, ato dëshmojnë edhe një mungesë kohezioni në deklarimet e ministrave të qeverisë “Berisha 2”.
#