E Diel, 1 Nëntor 2026

Kthehej nga Belgjika, kapet trafikanti nga Roskoveci

Një trafikant droge nga Roskoveci është vënë në prangat e policisë pas më shumë se një viti kërkimesh nga policia e Fierit. Mësohet se pasditen e së hënës, menjëherë pas kthimit të tij nga Belgjika, është arrestuar në aeroportin e Rinasit 47-vjeçari Nuredin Bishani. Edhe pse me emër të rremë, identiteti i Bishanit është zbuluar gjatë kontrollit të policisë kufitare, e cila ka kryer prangosjen e menjëhershme të tij. Pas sinjalizimit nga Fieri, përveç dosjes në ngarkim të 47-vjeçarit, është nisur edhe një eskortë policore, e cila mundësoi transportin e tij për në mjediset e policisë së Fierit. Sipas burimeve zyrtare të policisë së këtij qyteti, mësohet se Nuredin Bishani ishte shpallur person në kërkim prej më shumë se një viti, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier kishte vendosur për të masën e arrestit "burg pa afat". Po sipas policisë, Bishani është nën gjykim për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike, kryesisht të llojit heroinë. Por, drejtues të policisë së Fierit tregojnë për "Shqip" se emri i Nuredin Bishanit lidhet edhe me dy ngjarje të tjera trafiku droge, të cilat tashmë janë zbardhur. "Bishani është përfshirë në një ngjarje të zbardhur në qytetin e Korçës, po për trafik droge, si dhe për një tjetër në Fier, nga hetimet e të cilave ka dalë se kishte rolin e koordinatorit në trafikun që operonte brenda vendit", thonë për gazetën drejtues të policisë së Fierit. Ndërkohë që tre vjet më parë, Bishani është arrestuar si autori i dyshuar për falsifikim të dokumenteve, vepër për të cilën ai është gjykuar nga Gjykata e Tiranës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›