Sherr mes kunatash, njëra përdor thikën
Grindjet e shpeshta kanë çuar dy kunata në përleshje. Një 24-vjeçare është plagosur me thikë nga motra e të shoqit, ndërkohë që kjo e fundit është prangosur nga policia. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen "16 Prilli" të qytetit të Fierit, rreth orës 11:00 të së hënës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mëngjesin e djeshëm, dy kunatat, Adelina dhe Dallëndyshja, kanë debatuar ashpër me njëra-tjetrën. Viktima, Adelina Hamzaraj, kishte disa vjet që ishte martuar me vëllain e Dallëndyshe Alushajt. Kjo e fundit prej disa ditësh kishte ardhur për vizitë në shtëpinë e prindërve, në të cilën jetonte edhe vëllai me familjen e tij. Kunatat grindeshin shpesh, pasi vajza e shtëpisë ndërhynte në marrëdhënien e çiftit të ri dhe kërkonte ndarjen e tyre me pretendimin se nusja nuk i trajtonte mirë prindërit e burrit. Dje në mëngjes, në shtëpinë e Hamzarajve kanë qenë krushqit, prindërit e nuses, të cilët i kanë kërkuar së bijës, Adelinës, të duronte grindjet dhe të mos ndahej nga i shoqi, me të cilin kishte dy fëmijë. Pas largimit të tyre, sherri mes kunatave ka rifilluar dhe në grindje e sipër, Dallëndyshja ka rrëmbyer thikën nga një raft i kuzhinës dhe e ka goditur të kunatën dy herë në bark. Pas ngjarjes, 35-vjeçarja nuk është larguar nga shtëpia. Fëmijët e të plagosurës, të tmerruar kanë kërkuar ndihmë nga fqinjët, të cilët e kanë shoqëruar gruan e përgjakur për në spital. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes rreth 30 minuta më vonë dhe ka arrestuar 35-vjeçaren nën akuzën e "plagosjes së rëndë". Ndërkohë që policia në korridorin e shtëpisë ka gjetur edhe thikën me të cilën Dallëndyshja ka plagosur kunatën. Burimet spitalore tregojnë se 24-vjeçarja kishte marrë dy plagë të rënda në bark dhe sapo ka mbërritur në spital i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Gjendja e saj mbetet kritike për jetën.