Marrëdhëniet serbo-shqiptare, drejt ripërtëritjes
- Sipas drejtorit të Fondit Ballkanik për Demokracinë e Serbisë -
“Vizita e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta, në Serbi, është e rëndësishme, sepse Beogradi dhe Tirana ranë dakord, ashtu si edhe në rastin e shteteve të tjera, me të cilët Serbia ka mosmarrëveshje rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës, që kjo çështje, për të cilën nuk janë dakord, të mos jetë pengesë për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha planet e tjera. Nxitja e marrëdhënieve dypalëshe është shumë e rëndësishme edhe për bashkëpunimin rajonal”, vuri në dukje Ivan Vejvoda, drejtori i Fondit Ballkanik për Demokracinë e Serbisë, në një intervistë që i dha këto ditë gazetës së përditshme serbe, “Politika”.
Pyetjes së gazetës se si e konsideron ai rolin e Shqipërisë, për sa i përket çështjes së Kosovës, ndërkohë që ajo ishte edhe një nga temat kryesore që u diskutua në bisedimet e dypalëshe që ministri i Jashtëm i Shqipërisë zhvilloi me mikpritësit e tij në Beograd, z.Vejvoda iu përgjigj: “Pikë së pari duhet të thuhet se zoti Meta ka pasur marrëdhënie të afërta me Serbinë dhe autoritetet demokratike të saj pas vitit 2000. Duhet t’ju kujtoj se ai ka qenë kryetar i qeverisë së Shqipërisë deri në shkurt të vitit 2002, ndërsa më pas, deri në vitin 2003, ka qenë ministër i Punëve të Jashtme dhe ka ardhur në atë kohë për vizitë në Beograd, zhvilloi marrëdhënie të mira edhe me Kryeministrin e ndjerë, Zoran Gjingjiç, dhe ministrin e Jashtëm të asaj kohe, Goran Svilanoviç. Ajo vizitë kaloi me të vërtetë mirë dhe paralajmëroi një sërë mundësish për bashkëpunimin dypalësh në fusha të ndryshme. “Por që atëherë, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë janë keqësuar mjaft?”, ishte pyetja tjetër e gazetës “Politika”, së cilës drejtori i Fondit të lartpërmendur serb iu përgjigj: “Sigurisht, shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte momenti kur këto marrëdhënie u ftohën përsëri, dhe tani, pak më shumë sesa dy vjet mbas atij akti të autoriteteve kosovare, kemi përsëri ripërtëritje të marrëdhënieve tona. Mendoj se është e rëndësishme të theksohet se Ilir Meta, në fjalën e tij në Parlament, verën e kaluar, kur u bë ministër i ri i Punëve të Jashtme, u shpreh qartë për përmirësimin e marrëdhënieve serbo-shqiptare. Lidhur me atë se në cilat fusha do të vihet theksi në marrëdhëniet dypalëshe të ardhshme, z. Vejvoda theksoi: “Sigurisht që Shqipëria, si një nga vendet ballkanike që ka një synim të theksuar drejt integrimit europian, ndërkohë që duhet t’ju kujtoj se ajo është një hap para Serbisë, sepse e ka marrë tashmë paketën e pyetjeve nga BE-ja, ka interes të tregojë se si po punon me përkushtim në këtë drejtim”.
“Por, sidoqoftë, Shqipëria mbështet pavarësinë e Kosovës?”, ishte pyetja e radhës e “Politikës”, së cilës analisti i njohur politik serb i lartpërmendur iu përgjigj: “Nëse pushteti në Tiranë është i qëndrueshëm dhe synon të sillet në përputhje me vlerat demokratike e europiane, atëherë ai mund të jetë dikush që do të mund ta qetësojë situatën, sado e vështirë që të jetë sfida e zgjidhjes së problemit. Në këtë kuptim, eventualisht duhet të jetë dikush që do të mund të ndihmojë në bisedimet e ardhshme për zgjidhjen e çështjes kosovare”. Sa i përket asaj, nëse roli i saj (Shqipërisë) do të mund të luhej në prapaskenë, duke pasur parasysh se Presidenti shqiptar, Bamir Topi, shumë shpesh e shpreh mbështetjen e Shqipërisë ndaj pavarësisë së Kosovës, drejtori i Fondit Ballkanik për Demokracinë e Serbisë tha: “Në këtë rast, nëse mundemi, duhet t’i ndajmë teorikisht marrëdhëniet dypalëshe nga sfida jonë e përbashkët kosovare. Shqipëria, e cila ka probleme ekonomike të mëdha, e di se duhen marrëdhënie të mira me vendet fqinje, me qëllim që ta zhvillojë sa më shumë vendin e vet. Ne vetëm mund të hamendësojmë, por supozoj se kjo mund të ndodhë në prapaskenë. është e sigurt se Shqipëria është e interesuar ta tregojë veten si një vend që kontribuon për stabilizimin dhe forcimin e paqes në Ballkan”, theksoi ai.
#