E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vranë muratorin për 500 lekë, shkojnë në gjykatë

Kërkesa Prokuroria dërgon dosjen për gjykim ndaj Fatjon Lekës dhe Altin Koldashit

Përfundojnë në gjykatë dy të akuzuarit për vrasjen e një muratori, pasi ky nuk u kishte dhënë 5 mijë lekë borxh. Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjykatë dosjen hetimore në ngarkim të Altin Koldashit, 25 vjeç, i akuzuar për veprën penale të “mbajtja pa lejë të armëve luftarake” dhe Fatjon Lekës, 18 vjeç, i akuzuar për “vrasjes me dashje”. Pas dërgimit të dosjes në Gjykatën e Tiranës është kryer hedhja e shortit elektronik, ku i ka rënë për shqyrtim gjyqtarit Bujar Krasniqi. Ky i fundit do të vërë në dijeni palët për procesin gjyqësor, datën, si dhe orën për seancën e parë gjyqësore. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, ngjarja për të cilën akuzohen dy të pandehurit ka ndodhur më 17 nëntor të vitit të kaluar në Shkozë të kryeqytetit, ku u ekzekutua Pajtim Elezaj, 37 vjeç. Nga hetimet ka rezultuar se viktima pas një grindjeje të çastit me të pandehurin Leka, është qëlluar me mjete të forta. Sipas të dhënave hetimore, konflikti ka nisur në një lokal dhe më pas kanë dalë jashtë, ku autori ka marrë një dru dhe gurë dhe e ka goditur disa herë. Sipas hetimeve, si viktima, ashtu edhe autori, kanë qenë në gjendje të dehur dhe aty kanë debatuar me fjalë fyese. Kjo ka mjaftuar për të nxehur gjakrat, gjë që ka sjellë vrasjen e 37-vjeçarit. Ndërkohë, bashkëpunëtori i tij, Altin Koldashi, 25 vjeç, dyshohet se e ka ndihmuar autorin e krimit në këtë vrasje. Hetimet nisën edhe për Refik Kurtin, 34 vjeç, i cili po procedohej për veprën penale të “moskallëzimit të krimit”, por që është përjashtuar nga ky gjykim. Sipas dosjes penale, i riu, para se të debatonte me viktimën, kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme pijesh alkoolike dhe ishte në gjendje të dehur. Në muhabet e sipër, Fatjon Leka i ka kërkuar fqinjit të tij Elezaj 5 mijë lekë të vjetra borxh, por ky i fundit ka refuzuar. Në këtë moment Leka, në bashkëpunim me njërin nga miqtë e tij, Koldashin, e kanë nxjerrë jashtë dhe më pas 18-vjeçari ka nisur ta qëllojë me sende të forta, me çfarëdolloj objekti që ka gjetur në tokë, deri sa 37-vjeçari ka ndërruar jetë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›