E Diel, 1 Nëntor 2026

Kthehen në të gjithë vendin pronat e komuniteteve fetare

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Këshilli i Ministrave dhe bashkësitë fetare tradicionale në Shqipëri, nënshkruan marrëveshjen mbi "Rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella", e cila u rikthen komuniteteve fetare statusin që kishin humbur në vitin 1967. Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ishte i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha, drejtues të komuniteteve fetare, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Kulutrës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, dhe nga drejtuesit e Komunitetit Mysliman, Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Ajo pason marrëveshjen e nënshkruar më parë mes Qeverisë dhe Kishës Katolike, duke përmbushur kështu një detyrim të rëndësishëm kushtetues. Kryeministri vlerësoi se kjo marrëveshje që firmoset sot mes qeverisë shqiptare dhe autoriteteve më të larta fetare në vend, shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet midis shtetit shqiptar dhe besimeve fetare në Shqipëri. “Nuk ka pasur dhe nuk ka njollë më të zezë në tërë historinë tonë kombëtare sesa barbaria ateiste e imponuar”, - u shpreh Kryeministri, duke iu referuar ndalimit të besimit fetar gjatë regjimit diktatorial. Më tej ai shtoi: “Marrëveshja që ne sot firmosim me autoritetet më të larta fetare të vendit shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet midis shtetit shqiptar dhe besimeve fetare në Shqipëri. Është një rast për të kërkuar ndjesë për shkatërrimin dhe barbarinë që iu bë kryeveprave të trashëgimisë fetare dhe kulturore të kombit që qëndronin realisht si margaritarë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe më gjerë me vlerat, lashtësinë, dëshminë, arkivin dhe gjithçka tjetër. Në të gjitha të drejtat që ka një njeri dhe që meriton t`i gëzojë, njëra është e drejta e të gjitha të drejtave, njëra është më privatja, më e pafajshmja, më themelorja, e drejta e besimit. Ndaj marrëveshja është një dokument historik dhe dua t`ju garantoj ju, udhëheqësve më të lartë të besimeve të mëdha të kombit, se do të bëj çdo përpjekje për zbatimin e saj, për jetësimin e saj në interesin më të mirë të vendit dhe kombit. Qeveria ka bërë përpjekje për restaurimin e institucioneve të kultit. Më të mëdha do të jenë ato. Ne do të restaurojmë, ne do t`ia rikthejmë kombit vlerat që u rrënuan. Isha në Berat dhe kam porositur që të rindërtohen të gjitha kishat e Mangalemit, xhamitë dhe teqetë. Ne do t`i rikthejmë vendit të gjitha vlerat e rrënuara, do t`i rindërtojmë ato, sot kemi 2 milionë, më shumë do të kemi nesër dhe më shumë do të vendosim. Me një projekt të infrastrukturës së bregdetit orientimi kryesor është rindërtimi i institucioneve të kultit. Ka një moment shumë pozitiv në këtë marrëveshje. Ajo detyron qeverinë të bëjë ligjin e financimit të besimeve fetare. Nuk përbën kjo cenim të sekularizmit, përkundrazi i jep fund një përjashtimi të pamerituar, sepse po të jetë çështja në rrafshin fiskal, aksionerë në këtë vend janë të gjithë qytetarët, të gjithë ata që paguajnë taksa. Pra, me këtë ligj i jepet fund një përjashtimi të pamerituar dhe unë zotohem dhe do të kërkoj të krijohet grupi për të hartuar ligjin në mënyrë që komunitetet fetare të kenë të gjitha mundësitë e ushtrimit normal të veprimtarisë së tyre. E konsideroj këtë një moment historik në përputhje me Kushtetutën, por kjo marrëveshje do të jetë kushtetuta e besimeve fetare”, - përfundoi Kryeministri.

Marrëveshja

Ajo u siguron bashkësive fetare lehtësi fiskale, duke i përjashtuar nga taksat, shpreh angazhimin për rikthimin dhe kompensimin e pronave dhe parashikon hartimin e një ligji mbi financimin e bashkësive fetare nga shteti, duke u bazuar në përvojën evropiane. Në projektligjin “Për fenë“, do të gjejnë pasqyrim edhe bashkësitë e tjera fetare që janë të shumta në vendin tonë.

Detyrimet e shtetit

Nga ana e tij, “shteti shqiptar mbështet projektet për restaurimin e objekteve të rëndësishme të kultit dhe qendrave të pelegrinazhit, me qëllim promovimin e vlerave kulturore dhe fetare në vendin tonë". Vetëm gjatë këtij viti, Qeveria ka akorduar rreth 2 milionë dollarë për restaurimin e objekteve të kultit, pa llogaritur shpenzimet e tjera për infrastrukturën rrugore, që të çon drejt këtyre objekteve.

Konflikti

Miratimi i kësaj marrëveshjeje me bashkësitë fetare në vend nga Qeveria do të sjellë jo pak konflikte për sa i përket ndarjes së financave për aktivitetet fetare, por edhe kthimit dhe kompensimit të pronave në mbarë vendin. Çështja e pronave disa herë është lakuar dhe stërlakuar nëpër media si një nga shqetësimet e shoqërisë shqiptare në përgjithësi, por edhe të gjitha komuniteteve fetare në vend. Përsa i përket ndarjes së fondeve për veprimtaritë e komuniteteve fetare dhe shpërndarjes së tyre, ato do të bëhen në bazë të përqindjes së popullatës të çdo bashkësie fetare, gjë që do të sjellë një konflikt midis myslimanëve dhe bektashinjve, pasi në Shqipëri nuk është kryer asnjëherë deklarimi vullnetar i besimit fetar, edhe pse këto dy bashkësi i përkasin të njëjtit lloj. Në ligjin e ri për fetë, një tjetër element do të jetë deklarimi vullnetar i besimit fetar, gjë që është kërkuar vazhdimisht, kryesisht nga dy bashkësitë e fesë krisiane, ajo katolike dhe ortodokse.

- Selim Muça: Morëm statutin e munguar

Duke përshëndetur nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Selim Muça, e konsideroi atë “një eveniment të rëndësishëm dhe të shumëpritur në fushën e zhvillimit fetar në vendin tonë. Sipas tij, “marrëveshja bazohet mbi të drejtat kushtetuese që garantojnë lirinë e shfaqjes dhe ushtrimit të fesë dhe bindjeve fetare dhe rregullon çështjet themelore të njohjes, si dhe të marrëdhënieve të bashkëpunimit midis shtetit dhe komuniteteve fetare”. “Ky akt është një kontribut jo vetëm në shërbim të komuniteteve fetare, por edhe të shoqërisë në tërësi. Ai u jep komuniteteve fetare atë statut dhe personalitet juridik të munguar ndër vite, si dhe i shërben përsosjes së vlerave të trashëgimisë fetare në vendin tonë“, - tha ai.

- Janullatos: Kushteteuta më e mira në Ballkan për fetë

Fortlumturia e tij, Anastas Janullatos, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, në fjalën e tij vlerësoi se “Kushteteuta e Shqipërisë, e cila u miratua në vitin 1998 është një nga më të mirat e Ballkanit, veçanërisht për sa i takon lirisë fetare”. “Megjithëse shteti është laik, ai njeh faktin se komunitetet fetare kanë një rol të rëndësishëm në shoqëri dhe japin kontributin e tyre jo vetëm në bashkekzistencën paqësore fetare, por edhe në një atmosferë të përgjithshme tolerance, mirëkuptimi, drejtësie dhe paqeje”, - tha Kryepeshkopi Anasatas.

- Reshat Bardhi: Marrëveshja, akt historik

Duke e konsideruar marrëveshjen "akt historik", Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi, përshëndeti njëkohësisht fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës, që të çon në malin e Tomorit.

- Rrok Mirdita: Marrëveshja, jo vetëm një akt simbolik

Në përfundim, Imzot Rrok Mirdita uroi që "kjo marrëveshje të mos jetë vetëm një akt simbolik, por një shprehje e qartë e vullnetit të përbashkët për ecurinë normale të veprimtarisë së komuniteteve fetare". Sipas tij, "kjo marrëveshje duhet të jetë një akt domethënës i një vullneti të mirë për të zgjidhur problemet e trashëguara nga e kaluara".

Ky lajm është publikuar: 25/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›