E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB: “Shqipëria aktive, por me korrupsion”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Në ditën e 63-vjetorit të krijimit, Organizata e Kombeve të Bashkuara ngre shqetësimin e ndryshimeve të shpeshta në administratën publike dhe nivelit të korrupsionit në Shqipëri. Koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Tiranë, Gülden Türköz-Coslet, deklaroi në një intervistë publike se Shqipëria është një zë i fortë në OKB, por duhet t u japë fund lëvizjeve në administratë dhe ta shohë korrupsionin në rrënjët e saj. Rotacionet politike nuk kanë kaluar pa probleme edhe për Kombet e Bashkuara, e cila vetëm në katër vjet ka lëvruar në Shqipëri fondin prej 75 milionë dollarësh nëpërmjet projekteve të zhvillimit. Koordinatorja e përhershme e OKB-së në Shqipëri, Gülden Türköz-Coslet, në ditën e Kombeve të Bashkuara, nënvizon se ndryshimet e shpeshta në administratën publike çojnë në zvarritjen e projekteve të përbashkëta. “Në këto 63 vjet bashkëpunimi me Shqipërinë ka qenë shumë i mirë. por e vetmja gjë që unë dhe kolegët jemi të vetëdijshëm janë problemet shqetësuese të krijuara nga lëvizjet e shumta në administratën publike. Kështu, për shembull 8 vjet më parë, ose edhe 3 vjet më parë në nisëm projekte me departamente të qeverisë, të niveleve të ndryshme. Por fatkeqësisht, shohim që të njëjtët njerëz nuk janë më aty. Kjo çon në një mungesë qëndrueshmërie të programeve tona, por dhe të tjera të huaja. Por nëse flasim për programin pilot “NJË OKB”, jam shumë krenare, që një vend i vogël si Shqipëria, pasi gjithmonë dëgjojmë për Kinën apo Indinë, pra tani Shqipëria është një zë i fortë në reformat e marra apo pritet të ndërmerren nga OKB-ja”, - tha Koordinatorja e përhershme e OKB-së në Shqipëri, Gülden Türköz-Coslet. OKB, qëllimi i së cilës është asistenca ndaj vendeve që kërkojnë programe për zhvillim, po harton një program të veçantë, i cili do të përgatisë Shqipërinë, sipas zonjës Coslet, përpara anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Duke folur për situatën në Shqipëri koordinatorja e përhershme e OKB-së u shtohet zërave të përfaqësuesve ndërkombëtarë se korrupsioni është shqetësimi serioz i Shqipërisë. “Korrupsioni është një çështje serioze dhe e tillë shihet jo vetëm nga ne, por edhe nga qytetarët. Ajo që duhet bërë është ta shohim korrupsionin te rrënjët dhe të evidentohen arsyet pse ndodh. Unë di që shëndetësia është zona më e prekur, por duhen parë arsyet dhe të kërkojmë një reformë kryesore në shëndetësi, në mënyrë që të paguhen mjekët e kështu qytetarët të mos paguajnë më para shtesë. Edhe “One Stop Shop”, për regjistrimin e bizneseve është një inkurajim, por mbetet vetëm një fillim për ta reduktuar”, - theksoi ajo. Për sa i përket krizës financiare që ka përfshirë tanimë të gjithë globin, zonja Coslet shprehet se kriza deri më tani nuk ka prekur Shqipërinë dhe ky është bekim. Qëllimi i OKB-së nuk është që vendet e pasura të ulin ndihmat për vendet e varfra, por të inkurajojë SHBA-në apo Kanadanë të vijojnë me investimet në vendet e varfra. Organizata e Kombeve të Bashkuara, e krijuar 63 vjet më parë, shënon plot 192 anëtarë. Që prej vitit 1991 ka vendosur misionin e saj në Shqipëri duke dhënë asistencën e saj në krizën kosovare, por prej vitesh edhe me projekte ambicioze që synojnë zhvillimin ekonomik e social të vendit tonë.

Ky lajm është publikuar: 25/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›