E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënshkrimi i protokollit nga Bush

Autori i Lajmit: red.
Partia Demokriatiane e Shqipërisë përshëndet vendimin e Senatit Amerikan dhe gatishmërinë e çmueshme të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotit Xhorxh Bush, për firmosjen e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. PDK dhe kryetari i saj, Anton Gurakuqi, nëpërmjet një deklarate për media janë shprehur se “ne vlerësojmë se ky akt është një mbështetje e rëndësishme për Shqipërinë e veçanërisht për qeverinë, për reformat e ndërmarra në rrugën drejt anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut Verior dhe me vendet e Gadishullit të Ballkanit.
Mbështetja e SHBA-ve nuk duhet konsideruar vetëm një akt formal bashkëpunimi ndërmjet vendeve, por edhe si një tregues i mirëqeverisjes së koalicionit të djathtë, përmes së cilës e djathta do të ketë shumë arsye për të kërkuar në 2009-ën besimin e shqiptarëve për të vijuar me punën e nisur në qeverisje. Ky është një moment historik për Shqipërinë dhe Shqiptarët që kanë pritur dekada të tëra për të mbërritur në dyert e integrimit të vendit dhe në nivelet e standardeve të një demokracie reale. Mbështetja dhe dashamirësia që i vjen Shqipërisë nga SHBA dhe vendet e tjera të botës janë edhe një sinjal për arritjen e politikave konsensuale në vend, si një kusht që do të na çojë drejt progresit të shoqërisë dhe shtetit shqiptar”, - përfundon deklarata e kryetarit Gurakuqi.

Ky lajm është publikuar: 25/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›