E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhufi: “Duhet të zbresim Berishën nga kali”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Reforma në Drejtësi është kthyer në propagandë politike, ndërsa heqja e imunitetit është vetëm një mjet tjetër presioni i përdorur nga kryeministri Sali Berisha. Kështu pohon për Ballkan kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi. Ai thekson prerë kundërshtimin për një KQZ politike, ndërsa fajëson Qeverinë për tragjedinë e fundit në Butrint ashtu si për atë të Gërdecit. Ndërsa e quan surprizë kërkesën e Ramës për dorëheqjen e Berishës.

Në muajt e fundit, vendi ynë është përfshirë nga disa tragjedi, fillimisht ajo e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona dhe më e fundit tragjedia e Butrintit, ku deri tani kanë humbur jetën 5 persona. Zëra të ndryshëm kanë akuzuar Qeverinë për këtë situatë. Sipas jush, cila është përgjegjësia e Ekzekutivit në këto raste?

Përgjegjesia e Qeverisë qëndron në faktin se ajo ka dështuar në dy prioritetet e saj të vitit 2005, në luftën kundër trafiqeve dhe luftën kundër korrupsionit. Në gjykimin tonë, por jo vetëm në gjykimin tonë, por dhe në deklaratat e fundit të Bashkimit Evropian dhe OSBE-së, kjo Qeveri ka dështuar plotësisht në këto dy prioritete. Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, Ekzekutivi ka dështuar në arrestimet e zyrtarëve të nivelit të lartë, të cilët dihet se cilët janë, ka dështuar në arrestimin e krerëve të bandave më të rrezikshme ndryshe nga çfarë thotë zoti Berisha dhe në drejtim të trafiqeve njerëzore në mënyrë të veçantë nuk ka realizuar objektivat e saj. Rasti tragjik i Butrintit është një ilustrim i këtij fakti. Pra në një kohë kur kjo Qeveri kërkon të tregojë sikur ka krijuar gjithë infrastrukturën për të ndaluar këtë fenomen duke bërë dhe një ligj të posaçëm për ndalimin e mjeteve lundruese, pikërisht në një vend aq të rrahur dhe të populluar siç është Butrinti, realizohet një tjetër katastrofë, një tjetër tragjedi, e cila ka tronditur ndërgjegjen e shqiptarëve.

Pjesë e debateve politike janë bërë një sërë projektligjesh të Qeverisë të propozuar në kuadër të Reformës në Drejtësi. Madje, deklarime kundër ka pasur dhe nga grupet e interesit. Mendoni se ka dështuar Reforma në Drejtësi?

Unë dua të kujtoj se deri para dy-tre muajsh Reforma në Drejtësi nuk kishte filluar fare. Kishte kaluar vetëm një ligj rutinë, ligji “Për organizimin e sistemit të drejtësisë”, që përsëriste ligjin e vjetër dhe ndërkohë me fillimin e sezonit të ri parlamentar, PD dhe mazhoranca, në mënyrë provokative, ka lëshuar disa drafte ose gjoja drafte për ligjin mbi prokurorinë, mbi avokatinë, mbi administratën juridike, të cilat sigurisht më shumë kanë qenë si mjete për të devijuar vëmendjen e publikut nga çështjet e mëdha, nga skandalet e mëdha në të cilat është implikuar Qeveria. Natyrisht këto drafte kanë qenë dhe një formë presioni mbi ato institucione siç janë gjyqësori dhe në radhë të parë prokuroria, në një moment kur ato janë të angazhuara në hetimin e çështjeve jashtëzakonisht të rënda që kanë të bëjnë me krimin ekonomik dhe jo vetëm. Kështu që në këtë aspekt, nëse unë kujtoj nxitimin dhe publicitetin që iu dha të ashtuquajturit ligji për prokurorinë, pas të cilit u kap, për fat të keq, edhe zoti Rama me shumë angazhim dhe për të cilin, madje, dha dhe një ultimatum për ta realizuar brenda muajit, ndërsa tani për këtë ligj nuk po flet askush, sepse në gjykimin tonë, realisht ai nuk përbën një prioritet. Çështjet e rënda në tragjedinë e Gërdecit apo historitë e tmerrshme korruptive që kanë dalë këto kohët e fundit, mund të gjykohen shumë mirë me ligjin ekzistues. Pra këtu kemi të bëjmë me një trajtim politik të Reformës në Drejtësi, e konceptuar si një formë presioni pikërisht mbi drejtësinë, gjyqësorin e prokurorinë për të penguar, për të devijuar dhe për të ndikuar pikërisht hetimet që po zhvillohen këto ditë mbi çështje të rëndësishme duke filluar nga tragjedia e Gërdecit.

Reagime të ashpra kundër kryeministrit Sali Berisha ka shprehur ditët e fundit dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Madje, ai kërkoi dhe dorëheqjen e tij ashtu si LSI, e cila kërkon largimin e Kryeministrit. Në këtë situatë, zoti Xhufi, a nuk do të ishte më mirë që opozita të dilte e unifikuar, pra me një zë të vetëm?

Në radhë të parë, kjo dalje e zotit Rama është një surprizë për ne si LSI, sepse deri para pak ditësh ai ka vazhduar të insistojë në pamundësinë për ta hequr Berishën dhe në përmbushjen e plotë të kësaj legjislature. Në të kundërt, ne kemi kërkuar vazhdimisht që të ikë një orë e më parë. Ky qe dhe morali dhe parulla që ne sollëm në atë manifestim, që pa thirrjet tona do të ishte një manifestim tjetër memec ose një procesion i tipit fetar. Tani zoti Rama ka dalë me kërkesën që ia drejton zotit Berisha që të dorëhiqet dhe këtu ka një ndryshim të madh mes nesh dhe tij, sepse ne kërkojmë që zotin Berisha ta heqim me luftë politike, qoftë dhe me luftë të ashpër politike, natyrisht brenda normave të një lufte demokratike, kurse zoti Rama i kërkon zoti Berisha që të dorëhiqet. Me sa duket, zoti Rama nuk ka dëgjuar leksionin e të ndjerit Namik Hoti, i cili mes shumë gjërave me mend që ka thënë në fillimet e demokracisë shqiptare, tha edhe shprehjen e famshme se zotin Berisha nga kali duhet ta zbresësh. Nuk mund të presësh që ai të zbres vetë .

Cila është mënyra e duhur për ta zbritur zotin Berisha nga kali ?

Ne i kemi bërë të njohura format e luftës. Sepse ne gjykojmë që zoti Berisha në këtë moment është në momentin më kritik të tij. Imazhi i tij është rrënuar përfundimisht përpara shqiptarëve dhe përpara ndërkombëtarëve dhe forma të një lufte të ashpër siç e meriton Berisha, mund të aplikohen. Kjo do ta vështirësonte akoma më shumë pozicionin e tij. Unë gjykoj që opozita shqiptare e ka pasur rastin ditë për ditë duke iu referuar vetëm Kuvendit, për të lënë Parlamentin për një javë, për një muaj apo për më shumë, kjo varet pastaj sigurisht nga zhvillimet. Por kur një Kryeministër, shantazhon opozitën, kur një Kryeministër i tund dosje paturpësisht opozitës, e kërcënon dhe e fyen dhe, madje, edhe me jetë, mua më duket se janë mbushur të gjitha premisat për të braktisur këtë Parlament. Kjo është një nga format e cila në kushtet aktuale duhej korrigjuar. Ka dhe mënyra të tjera përveç Parlamentit, demokracia është edhe në sheshe, edhe në manifestime, është edhe në tryeza, është edhe në botime të ndryshme pra ka një sërë mënyrash, të cilat ngelen të pashkelura, sepse për fat të keq, lidershipi i PS-së nuk i konsideron të kohës dhe nuk i konsideron të nevojshme. Dhe me sa duket, i qëndron idesë për ta çuar këtë legjislaturë deri në fund. Deri në fund mendoj se dëmi do të jetë shumë më i madh nga ç është bërë deri tani.

Si e konsideroni propozimin e socialistëve që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të jetë pjesërisht i përhershëm, pra vetëm kryetari i tij të jetë i përhershëm, ndërsa anëtarët të punojnë me kohë të pjesshme?

Unë nuk mund të komentoj asnjë deklaratë të bëra nga njëri nga bashkëkyetarët apo së bashku, deklarata që bëhen jashtë institucioneve, jashtë Komisionit të Reformës Zgjedhore. Na ka rezultuar deri tani se mjaft nga këto deklarata bëhen për qëllime diversive, për të shurdhuar, për të verbuar, për të devijuar vëmendjen e politikës nga çështjet konkrete ose për të realizuar realisht qëllimet që ka njëri apo tjetri, kështu që në këtë aspekt nuk kam koment për të. Ajo që ne insistojmë është që në kohën e Sali Berishës nuk ka depolitizim të komisioneve. Historia e KKRT-së, historia e Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit që u nisën gjoja si borde të depolitizuara nga shoqëria civile, nëpërmjet mekanizmave të krijuara nga zoti Berisha, rezultuan në borde të politizuara dhe njëkolorësh, njëngjyrësh, me përbërje vetëm të PD-së aq sa edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, OSBE, Këshilli i Evropës, Komisioni Evropian prej dy vjetësh kanë dhënë orientimin për ribërjen e këtyre bordeve dhe për ribërjen e krejt ligjit të mediave elektronike, i cili u bë me votën e shumicës. Në këtë aspekt, ne themi që ka boll probleme të pazgjidhur Reforma Zgjedhore dhe nuk i duhet shtuar dhe një pikëpyetje tjetër siç është ajo e kompozimit të KQZ-së apo të komisioneve të niveleve më të ulëta, të cilat jemi të bindur që siç e kërkon instikti i Berishës, ai do bëjë të pamundurën për t i politizuar në mënyrën e vet duke futur vetëm militantë, madje, dhe militantë të dhunshëm të PD-së. Prandaj ne gjykojmë që gjëja më e mirë për të mbajtur nën kontroll këtë proces që është pothuaj i kompromentuar edhe për faj të PS-së dhe për bashkëfajësi të saj, gjëja më e mirë është që anëtarët e komisioneve të kenë përgjegjësinë politike për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Një tjetër temë e debatueshme në politikën e sotme është dhe çështja e kufizimit të imunitetit dhe si pasojë ndryshimii Kushtetutës. Cili do të jetë qëndrimi i LSI-së në këtë pikë.

Ne i kemi qëndruar shumë vakët kësaj hedhje sërishmi në tregun e politikës të ligjit për kufizimin e imuniteteve, se ne e dimë se cili është prapamendimi i promotorëve të tij, dmth i mazhorancës dhe i pasuesve të tij. Ai e ka konceptuar këtë ligj për kufizim të imuniteteve si mjet për presion, diskreditim, linçim mediatik të opozitës dhe aspak si një mjet që do të krijonte premisa për integritetin e anëtarëve të Parlamentit shqiptar. Akoma më shumë do të thosha që zoti Berisha, i cili është nën akuzat për korrupsion, ai vetë dhe qeveria e tij, duke ngritur perden e çështjes së imunitetit kërkon t u tregojë, këtë e ka treguar në çdo vizitë e takim ndërkombëtar, sikur deputetët janë bartësit e vërtetë të korrupsionit. Ai e ka bërë me deklarata të hapura një gjë të tillë në një kohë që të korruptuarit, peshqit e mëdhenj të korrupsionit qëndrojnë në Qeverinë e tij dhe është ai vetë. Pra ka një aspekt propagandistik, ka një aspekt devijues të vëmendjes për çështjen e korrupsionit pikërisht tek parlamentarët, të cilët e them me bindje të plotë, deputetët shqiptarë janë deputetët më të varfër, dhe nëse ka të pasur ata kanë ardhur të tillë dhe nuk janë bërë të pasur nga detyra e tyre si deputet. Megjithatë, ne si LSI jemi nga ata që e kemi treguar, dhe e ka treguar zoti Meta, që ka hequr dorë vullnetarisht nga imuniteti, e konsiderojmë këtë një çështje që nuk na përket. Jemi të gatshëm të heqim dorë nga imuniteti, në mënyrë të pjesshme, në mënyrë të plotë, për ne kjo nuk ka rëndësi, por këto sqarime dëshirojmë t i bëjmë, dmth qëllimin e vërtetë nga i cili niset Berisha. Ai nuk është për të pastruar politikën nga korrupsioni, por është për t i dhënë vetes një mjet tjetër shtesë për të bërë presion dhe për të shantazhuar opozitën.

Nëse vjen në Kuvend një draft për ndryshimin e Kushtetutës, LSI do të votojë pro apo kundër tij?

Ne jemi kundër çdo ndryshimi tjetër kushtetues, sepse është kaluar masa kritike e ndërhyrjes në Kushtetutë. Ajo ka ndryshuar natyrën e saj, ka ndryshuar raportet e institucioneve, ka bërë një konfuzion të plotë, efektet e të cilave po i shohim që në muajt e parë pas ndryshimeve kushtetuese. Ka një mënyrë tjetër që zbatohet dhe jashtë, siç është në Gjermani, për një dorëheqje në fillim të çdo legjislature, dorëheqje vullnetare, deklaratë politike të çdo deputeti që të heqë dorë nga imuniteti. Dhe nuk është nevoja që të ndërhyhet dhe të përdhoset akoma më shumë kjo Kushtetutë, e cila është bërë me sakrifica, me gjak, me pjesëmarrjen e gjithë popullit shqiptar dhe e ndryshuar një natë të bukur nga dy vullnete të mbrapshta, ai i PD-së dhe PS-së.

Bisedoi: Suela Topi

Ky lajm është publikuar: 25/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›