E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në Krujë: Do t’i kthejmë qytetit shkëlqimin

Gjatë ditës së djeshme, kreu socialist Edi Rama është ndalur në turin e tij elektoral edhe në qytetin e Krujës, ku ka mbështetur kandidaturën e Ismail Danit për kryetar bashkie. Ashtu si dhe në takimet e tija pararendëse, kreu socialist i ka mëshuar idesë se 8 maji është dita e ndëshkimit me votë të qeverisë së djathtë. Duke falënderuar qytetarët krutan për pritjen, kreu i PS-së ka vlerësuar kandidaturën e këtij qyteti, Ismail Danit, si alternative e vetme që mund t’i kthejë Krujës shkëlqimin e nevojshëm. “Ne, me anë të Ismail Danit, do i kthejmë Krujës shkëlqimin e humbur. Kruja, zemra e një qytetërimi. Do ta nderojmë si amanetin e të parëve tanë. Kruja mbetet një pikë referimi për të ardhmen”, - tha Rama në fjalën e vet. Gjithashtu, ai, në kuadrin edhe të premtimeve elektorale, u ka thënë banorëve se PS dhe kandidati i saj do ta shndërrojnë Krujën në një pikë referimi jo vetëm si vlerë historike, por edhe si simbol i mirëqenies. “Këtë qytetërim do ta ngremë lart. Do ta kthejmë Krujën në ato parametra që meriton. Kruja ka humbur rrugën dhe shpresën. PS, e vetmja rrugë e zhvillimit të qëndrueshëm. E vetmja rrugë është rruga jonë”, - u shpreh më tej kryesocialisti Edi Rama. Edhe gjatë këtij takimi, ai ka ripërsëritur edhe një herë bindjen se tashmë duhet t’i jepet fund votave të vjedhura, kjo si e vetmja mënyrë dhe shpresë për të gjithë shqiptarët. Gjatë fjalës së tij, ai nuk ka lënë pa përmendur edhe faktin se ka një lidhje të veçantë me këtë qytet dhe kjo falë bashkëshortes së tij të re, e cila sipas Ramës ka lidhje origjine me Krujën. “Sot isha me tre gra që kanë lidhje origjine nga Kruja. Me gjysmën time më të mirë Lindën, Eglantinën dhe Klodin. Ndaj jam shumë i befasuar nga pritja që më bëni sot”, - tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›