E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehet nga emigrimi për dasmën e djalit, vret veten 45- vjeçari

Mark Deda, baba i 4 fëmijëve u gjet i varur në një pemë dekorative në lagjen "Xhabiej"


Letra e lamtumirës për familjen: Ju kërkoj ndjesë për aktin, por s'e përballoj dot jetën


Shkodër- Vetëm pak ditë pasi ishte kthyer nga Italia, për dasmën e të birit, një 45-vjeçar nga Ashta e Shkodrës i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur. Në xhep i kanë gjetur një letër lamtumire për familjen, në të cilën kërkon vetëm ndjesë për veprimin, duke e justifikuar me pamundësinë për të përballuar jetën, por pa dhënë asnjë arsye për vetëvrasjen.


Mark Deda, lindur e banues në fshatin Ashtë, të Komunës Bushat, në Shkodër, baba i katër fëmijëve, u gjet i vetëvarur me litar në një pemë dekorative në lagjen "Xhabiej" të qytetit, në vendin e quajtur "Tregu tek shumica e re".


Viktima, së bashku me familjen kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer në fshatin e lindjes, pasi këtë të diel kishin planifikuar dasmën e djalit. Sipas familjarëve, mëngjesin e sotëm ai ishte larguar qetësisht nga banesa, pa thënë asgjë dhe vetëm më vonë ata janë njoftuar për gjëmën që kishte ndodhur.


Policia, e mbërritur në vendin e ngjarjes ka bërë me dije se në xhepin e viktimës, në portofol është gjetur një letër. "Letra duket të jetë shkruar para se viktima t'i jepte fund jetës, pasi në të janë lënë amanetet për familjen",- thonë burimet nga policia lokale.


Sipas tyre, në letër 45-vjeçari ka lënë amanet gruan dhe fëmijët, të cilëve u është drejtuar me një letër ndjese. "Ju kërkoj ndjesë për këtë akt që po kryej, por unë nuk mund ta përballoj dot më jetën",- ka shkruar ai, por pa thënë asgjë rreth motiveve konkrete që e kanë shtyrë të vetëvritej.


Familjarët, në prag gëzimi për dasmën që duhet të bëhej këtë të diel kanë mbetur të shtangur nga ajo që ka ndodhur. Ata, nuk kanë ditur të japin asnjë sqarim për policinë, lidhur me veprimin e kryefamiljarit.


Sipas tyre, familja është kthyer nga Italia për gëzimin që i priste, pasi martonin djalin dhe të gjithë ishin duke u marrë me përgatitjet e fundit për festën. "Familjarët kanë thënë se ditët e fundit, pas kthimit nga emigracioni ku jetonin të gjithë bashkë, 45-vjeçari ka shfaqur shenja mërzie, po pa u shprehur për ndonjë shkak konkret",- thonë burimet policore, duke iu referuar dëshmive të mbledhura nga familja.


Dyshimet e para janë për ndonjë sëmundje të viktimës, të cilën ai mund ta ketë ditur dhe ka dashur ta mbajë të fshehtë, por edhe kjo mbetet vetëm një hipotezë. Dosja i ka kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë së rrethit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›