E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurt rrethet

Hidhet nga kati i katërt, vdes e moshuara


VLORË- Një e moshuar është gjetur në orët e para të mëngjesit e pajetë, pranë pallatit në të cilën banonte.


Ngjarja ka ndodhur në lagjen "24 Maji", në të cilën 89-vjeçarja, Haxhire Saliaj, banonte prej vitesh. Si kanë shpjeguar vetë familjarët dhe sipas të dhënave të policisë, gruaja vuante nga skleroza, madje për këtë dhe kurohej.


"Kishte disa kohë që e moshuara ka ndërprerë kurën"- thonë burimet, duke shtuar se ajo është hedhur nga dritarja e katit të katërt të apartamentit ku banonte dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Materialet për ngjarjen pas veprimeve të nevojshme proceduriale i janë referuar prokurorisë së rrethit Vlorë.

--------------------------------------------------------------------------

Grinden të rinjtë, një i plagosur me thikë

VLORË- Tre të rinj janë grindur për motive banale dhe sherri ka përfunduar në goditje me thikë. Sipas policisë së Vlorës, ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes, kur një grup të rinjsh janë grindur mes tyre.


"Gjatë sherrit, dy të rinj kanë nxjerrë një thikën dhe kanë goditur me të 22-vjeçarin A. Aliraj, banues në lagjen "24 maji" të Vlorës"- thonë burimet policore. Si pasojë e goditjeve me thikë 22-vjeçari ka pësuar dëmtime në krahun e majtë dhe në këmbë. Ai është dërguar drejt spitalit rajonal, ku sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Policia ka identifikuar edhe dy pjesëtarët e tjerë në sherr, që janë E. Skënderaj, 24-vjeç, dhe A. Lamaj, 19- vjeç. Sipas saj, ata kanë qenë duke pirë kafe në zonën e Skelës dhe më pas kanë nisur të grinden për motive që cilësohen banale.


Me cilësinë e provës materiale është sekuestruar thika, ndërkohë që për dy shtetasit e tjerë do të procedohen në gjendje të lirë për veprën penale të "Plagosjes së lehtë me dashje në bashkëpunim".

------------------------------------------------------------------

Digjet mali i Koshtnicës, zjarri fiket pas 4 ditësh


GRAMSH- Flakët e zjarrit bëjnë shkrumb e hi malin e Koshtnicës në fshatin Vidhan të Gramshit. U deshën 4 ditë përpjekje që zjarri në këtë vend të vihet në kontroll për shkak të terrenit të thyer malor.


Në shuarjen e flakëve u angazhua reparti i zjarrfikësve, policia, shërbimi pyjor, forcat e ushtrisë si dhe vetë banorët e zonës. Dëmet e shkaktuara përllogariten shumë të mëdha, pasi zjarri ka djegur sipërfaqe të mëdha me drurë e shkurre.


Në vendin e ngjarjes u dërgua grupi hetimor i cili po punon për të zbuluar shkakun e shpërthimit të flakëve. Ende nuk ka një pistë të qartë por besohet se shkaku kanë qenë vetë banorët e zonës ose barinjtë e kësaj treve. Deri më tani ky ishte zjarri më i madh i shpërthyer në qarkun e Elbasanit.

--------------------------------------------------


Ndërhyn marinari, 5- vjeçari i shpëton mbytjes


SARANDË- Një fëmijë 5-vjeçar në qytetin e Sarandës ka mundur të shpëtojë mrekullisht nga mbytja, falë ndërhyrjes së një marinari. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 15.00, në vendin e quajtur "Gjiri i Marinës", ku N. Nesturi, 5 vjeç, teksa ishte duke bërë plazh u ka humbur nga sytë të afërmve të vet. Ka qenë një marinar që u ndodh rastësisht pranë, e që është hedhur në ujë, duke bërë të mundur gjetjen e trupit të vogëlushit.


"U gjet pothuajse i mbytur",- janë shprehur dëshmitarët okularë. Pas nxjerrjes nga uji, vogëlushi menjëherë është nisur drejt urgjencës "Stefan Mekshi" të Sarandës. Sipas burimeve spitalore mësohet, se pacienti i vogël ka ardhur në gjendje shumë të rënduar dhe pas ndihmës së parë ai u transportua me helikopter për në Tiranë për mjekim më të specializuar.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›