Universiteti i Tiranës, krijon këshillin e etikës
Universiteti i Tiranës, krijon të parin këshill etike, i cili duhej të funksiononte që me hyrjen në fuqi të ligjit për arsimin e lartë. Urgjenca për të shqyrtuar një sërë çështjes për të cilat në këtë universitet ka pasur ankesa për shkelje të etikës, ka detyruar senatin e UT-së që në mbledhjen e fundit të vendosë krijimin e këtij këshilli. Rektori Dhori Kule shpjegon se nuk mund të funksiononte ky organ, pa u miratuar më parë statuti i universitetit. Por, meqë ka afro një vit që ky statut ecejaket mes senatit dhe ministrisë së arsimit, pa marrë nga ky i fundit miratimin përfundimtar, çështja nuk mund të priste më. Edhe pse është diskutuar gjatë për qëndrimin që Universiteti i Tiranës do të mbante pas skandalit të publikuar për ish- ministrin e kulturës Ylli, Pango, rektori Kule deklaron se ky këshill nuk do të merret fare me rastin, pasi prej afro një viti ai nuk ishte pjesë e stafit pedagogjik. Në mbledhjen e fundit senati bëri disa ndryshime mbi statutin e UT-së, të rekomanduara nga MASH. Por, sipas rektorit Kule është e papranueshme që universitetet të cilat sot funksioojnë sipas ligjit të ri për arsimin e lartë, të veprojnë me statutin dhe rregulloret e vjetra. Me rastin e ardhjes për një vizitë në Shqipëri, më 20 prill UT-së do të nderojë me titullin Honoris Causa ish-presidentin e Çekisë, Vajslaj Havel, dhe njëkohësisht senati ka vendosur ta shpallë mik të universitetit.