E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i Tiranës, PD: Rama nuk ka më shumicën



Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, ku do të diskutohet edhe njoftimi i prefektit për paligjshmërinë e Buxhetit të Tiranës, duket se do të ndryshojnë balancat nga votimi i fundit. Një prej anëtarëve të shumicës që votoi pro buxhetit në mbledhjen e 7 shkurtit, kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini, nuk do të jetë i pranishëm në seancë, ndërkohë burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur se një tjetër anëtar do të ndryshojë votën nga hera e kaluar.

Nëse këto ndryshime do të kthehen në realitet në mbledhjen e sotme, shumica e vështirë që arriti të sigurojë kryebashkiaku Rama do të prishet, duke bërë që rikalimi i buxhetit të jetë vetëm në dorë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo, pasi Partia Demokratike është shprehur qartë kundër buxhetit të Tiranës dhe ka deklaruar se nuk do ta votojë atë.

Ndryshimi i balancave

Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, z. Tahir Muhedini, ndodhet në Stamboll, duke i ulur në këtë mënyrë një votë shumicës prej 29 vota që miratoi buxhetin e kryeqytetit. Duke folur nga Stambolli, Muhedini deklaroi për “standard” se ndodhej në qytetin turk për arsye familjare dhe se nuk do të mundej të paraqitej sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Ndërkohë, burime pranë Partisë Demokratike bënë të ditur dje se një tjetër votë do të ndryshojë, duke e bërë kalimin e buxhetit të pamundur. Zyrtarisht, Partia Demokratike deklaroi se “Rama nuk do të ketë votat e mjaftueshme për të kaluar nesër (sot) buxhetin e tij, buxhetin e vjedhjes dhe të keqpërdorimit të taksapaguesve shqiptarë”. Këshilli Bashkiak ka shumicë të majtë, por bashkimi i forcave të mazhorancës me Lëvizjen Socialiste për Integrim e lë Partinë Socialiste me tre anëtarë më pak sesa i nevojiten për të miratuar buxhetin.

Buxheti

Buxheti i kryeqytetit është kthyer kohët e fundit në një “mollë sherri”. Projektbuxheti i Bashkisë së Tiranës, i rrëzuar dy herë me shumicë votash, nga këshilltarët e PD-së dhe të LSI-së, u diskutua në mbledhjen e 3 shkurtit dhe kaloi në votim. Kryebashkiaku Edi Rama, i pranishëm në sallë, numëroi vetë votat pro, pa pritur përfundimin e procesit, duke deklaruar se “projektbuxheti u miratua me 29 vota”, ndërkohë që përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së votuan kundër. Ata e konsideruan këtë projekt "të jashtëligjshëm dhe buxhet paraelektoral".

Prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi, me një vendim të datës 24 shkurt e ktheu për shqyrtim projektbuxhetin e Tiranës duke deklaruar se "sipas procedurës, Këshilli Bashkiak duhet të mblidhet edhe një herë për ta rishqyrtuar sërish atë”, duke ngulmuar se ka shkelje ligjore në nenet 19 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor”. Por, Bashkia e Tiranës filloi zbatimin e buxhetit, ndonëse ai nuk ka hyrë në fuqi, akt për të cilin nevojitet firma e prefektit.

Mbledhja e sotme

Sipas njoftimit për shtyp të Këshillit Bashkiak, në rend dite sot do të jetë edhe projektvendimi për miratimin e rregullores për organizimin e shërbimeve taksi, ai për tarifat që duhet t'u vihen shërbimeve taksi, mbi financimin e kuotës së anëtarësimit të Tiranës në shoqatën botërore të kryeqyteteve frankofone, si dhe dy vendime për emërtime të reja në strukturën e bashkisë dhe të ndërmarrjeve në varësi të saj.

Por më kryesorja ndodhet në fund të rendit të ditës, në zërin njoftime, ku do të lajmërohen anëtarët e Këshillit Bashkiak për vendimin e prefektit, Ruzhdi Keçi, për shpalljen e paligjshmërisë së draft-buxhetit të Tiranës. “Çdo gjë do të vendoset në seancë”, – deklaroi kryetari i këshillit, z. Sokol Dervishaj, duke e lënë buxhetin në dorë të votës së ndryshuar të anëtarëve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›