Vodhën me thyerje një banesë, përfundojnë në pranga
Shkodër – Policia ka mundur të ekzekutojë urdhrin e ndalimit të nxjerrë nga organi i akuzës për dy persona. Sipas të dhënave, ata janë 17-vjeçari Elfat S., lindur në Tetovë e banues në Shkodër, si dhe 31-vjeçari Ylli Erkoçeviç, lindur e banues në fshatin Shtoj i Vjetër, Shkodër. Ndalimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur me thyerje banesën e një qytetari në lagjen “Perash” të qytetit të Shkodrës. Si rezultat i hetimeve të kryera u bë i mundur dhe zbulimi i një tjetër ngjarjeje të ndodhur në muajin janar të këtij viti, kur ata vodhën me thyerje një tjetër banesë në këtë qytet.
Protesta e paligjshme para fabrikës së çimentos, procedohet 48-vjeçari
Krujë – Pas një proteste me pjesëmarrjen e disa dhjetëra personave, të zhvilluar mëngjesin e dy ditëve më parë përpara Fabrikës së Çimentos në Fushë Krujë, policia ka proceduar penalisht një organizator. Burime zyrtare të policisë së Komisariatit të Krujës thanë se ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të 48-vjeçarit Fatmir Zalla, lindur dhe banues në fshatin Zall-Krujë, me arsim të lartë. “Procedimi penal ndaj të dyshuarit erdhi pasi dyshohet se ai ka qenë organizator i një proteste të paligjshme me pjesëmarrjen e 40 personave, banorë të fshatit Zall-Krujë. Protesta u organizua para hyrjes së Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë, duke mos lejuar hyrjen e punonjësve, personelit dhe automjeteve në fabrikë”, - deklaroi policia vendore. Ajo pranoi se arsyeja e kësaj proteste ishte ndotja e ambientit, por shtoi se nuk ngurroi të ndiqte penalisht 48-vjeçarin për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
28 Mars 2009