E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku dhe si fillon dhimbja?

• Dhimbja zakonisht fillon në regjionin lumbar ose gluteal (mesi), ku ka qenë e përqendruar për disa orë në ditë, pastaj rrezatohet sipas trajektores së nervit ishiatik.

 Më rrallë dhimbja fillon në pjesën e prapme të kofshës, e në raste shumë të rralla në pulpën e kërcirit. Përhapja e dhimbjes nga vendi i fillimit të saj ndryshon nga një i sëmurë në tjetrin. Në disa prej tyre, dhimbja përhapet shumë shpejt pasi është shfaqur, në të tjerë pas disa orësh. Por më shpesh dhimbja përhapet në këmbë disa ditë më vonë, pasi ajo ka qenë e përqendruar në mes. Dhimbja rrezatohet në pjesën e prapme të kofshës, në pulpë të kërcirit dhe pastaj mund të ndjekë dy rrugë: në drejtim të gishtit të madh të këmbës, në thundër dhe në pjesën e jashtme të shpinës së këmbës deri në gishtin e vogël të saj. Ndërsa pjesa tjetër e të sëmurëve nuk kanë mundur të saktësojnë përhapjen e dhimbjes.Dhimbjet në përgjithësi janë të vazhdueshme, por në ecurinë e sëmundjes ato mund të ndryshojnë. Ato mund të acarohen aq shumë sa i sëmuri nuk është në gjendje të lëvizë. Shumë të sëmurë ankohen se dhimbjet i ndjejnë më të forta gjatë natës. Dhimbjet shtohen gjatë lëvizjes, kur të sëmurët ulen dhe ngrihen, madje edhe gjatë një kolle apo teshtitje të rastësishme. Dhimbja mund të shoqërohet me shenja të tjera: ndjenjë ftohje ose nxehtësi të gishtave të këmbës, më rrallë djersitje të këmbës së sëmurë, etj. Lëvizjet e shtyllës kurrizore janë të kufizuara, sidomos gjatë përkuljes së trupit përpara. I sëmuri mund të përkulet deri në një farë mase, mandej nuk mundet më, sepse nuk e lejojnë dhimbjet, lëvizjet e trupit anash e mbrapa zakonisht kryhen me lehtësi. Skolioza e shtyllës së kurrizit është shenjë objektive e rëndësishme, e cila mund të vihet re që në pamjen e parë kur i sëmuri qëndron në këmbë. Ajo bëhet më e dukshme, kur pacienti përkulet përpara ose përpiqet të marrë një objekt në tokë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›