E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mulliqi: Akuzoj Rubens Shimën për korrupsion

• Dorëhiqet Genc Mulliqi! Pas emërimit nga ministri si zëvendësdrejtor i Galerisë së Arteve një ditë më parë, dje ish-drejtori i saj, ka dhënë dorëheqjen duke parashkruar një sërë faktesh.

ANILA MEMA

“Eshtë një rast unikal, pasi unë para pak muajsh i kam kërkuar ministrit Pango shkarkimin e tij për vjedhje e shkelje të ligjit. Ndaj unë nuk mund ta pranoj këtë post, të jem vartës i dikujt, që e kam akuzuar për korrupsion”, është shprehur Genc Mulliqi, i cili është emëruar në këtë pozicion rreth një vit më parë. E në këtë rast galeria kthehet në një top pingpongu, ku ministri bën autogolin. Në verën e vitit të kaluar kur u prezantua Shqipëria me pavijonin e saj në Bienalen e Venecias, vetë Ylli Pango, u shpreh në media me një letër të hapur për polemikat dhe debatet e shkaktuara nga komisioneri i këtij pavijoni Rubens Shima. U shpreh se do të ndëshkonte çdokënd që abuzonte me detyrën. Por me sa duket, në rastin më të fundit, ndodh e kundërta. Emëron drejtor të GKA, Rubens Shimën dhe si zëvendësdrejtor, Genc Mulliqin. Një rokadë që rrallë ndodh, por që një shkak e ka pas. Vetë ish-drejtori, Mulliqi, në një konferencë për shtyp të dhënë pak minuta para dorëzimit të zyrës, ka nxjerrë një sërë akuzash direkte kundrejt Rubens Shimës (aktualisht drejtor, dhe indirekt kundrejt ministrit të Kulturës. “Aktualisht ky tërbim i ministrit për bienalen mesa duket është kthyer në miqësi, madje në një flirt simbolik, që mund ta ketë shpjegimin tek mjegulla financiare që rrethon këtë aktivitet, ndoshta më i shtrenjti në fushën e arteve vizuale”, shprehet ai. Një sërë dokumentesh vërtetojnë shkeljet flagrante të Shimës, një prej të cilave është dhe lista e pagesave të punonjësve të GKA, të firmosur nga vetë ky i fundit dhe financierja Denita Asllani. Përveç pagesave bruto në listëpagesa të vetmit persona që janë paguar jashtë orarit janë vetë dy firmëtarët, me nga përkatësisht 20,105 lekë dhe 11,171 lekë prej marsit të vitit 2007 deri në muajin gusht të po këtij viti.
“Rasti i emërimit të Rubens Shimës si drejtor flet për konceptin e ministrit Pango, në zgjedhjen e kritereve për emërimin e drejtuesve. E sipas tij, drejtuesit duhet të jenë të aftë për akte korruptive, devijim fondesh, parregullsi veprimesh financiare, krijim kushtesh për konflikt interesi. Pikërisht kjo aftësi e Shimës është ajo që Pango duket se vlerëson”, thekson Mulliqi. Në letrën dërguar kryeministrit Berisha, letër e cila mban datën 12 mars të këtij viti Mulliqi thekson mes të tjerash se për konkursin e arteve pamore “Onufri 2007”, Shima është shpallur për të dytin vit kurator, pa marrë aprovimin e tij si titullar në kundërshtim me gjithë legjislacionin përkatës dhe statusin e konkursit, i cili përveç një problemi etik moral, është rast i evidentueshëm i konfliktit të interesit. “Pas këtij veprimi flagrant, u detyrova t’i hiqja delegimin e firmës, megjithatë në kundërshtim me ligjin nr 9643 të datës 20 11.2006 “Për prokurim publik”, Shima vazhdon të kryejë blerje dhe të prokurojë shërbime pa miratimin e titullarit dhe autoritetit kontraktor. Ai ka dhënë urdhrin për rikonstruktimin e zyrës së tij me vlerë 841, 236 lekë në kundërshtim me këtë ligj, ku theksohet se për ndërtimet me vlerë jo më të madhe se 2 milionë lekë duhet të organizohet tender i formës “Kërkesë për kuotim”. Nga ana e tij, drejtori aktual i GKA-së Rubens Shima është shprehur se, nuk ka asnjë lloj dijenie për këto shkelje dhe akuzave të bëra nga ish-drejtori Mulliqi. “Janë shpifje sepse nuk di kujt i referohet”, shprehet për mediat, direkt pas konferencës për shtyp Shima. “Buxhetet tona janë aq të vogla, sa nuk ka mundësi për abuzime”, është shprehur ai. Por pas gjithë kësaj rokade akuzash, shkeljesh, emërimesh e ç’emërimesh, në fund topi i mbetet Mulliqit. Sipas një raporti të Auditit të brendshëm të ministrisë, që mban datën 14.04.2008 mbi dokumentacionet e organizimit të konkursit “Onufri 2007” janë firmosur disa urdhra prokurimi për shërbime dhe blerje që në total kapin shumën 421.320 lekë, për të cilat mban përgjegjësi Genc Mulliqi”.

Shkeljet e Rubens Shimës

• Nuk ka platformë të miratuar nga drejtori i GKA dhe të paraqitur në MTKRS
• Nuk ka urdhër të ministrit për miratimin e kuratorit
• Nuk ka miratim të komitetit Organizativ për miratimin e preventivit dhe shpenzimeve përkatëse por dhe as të drejtorit
• Nuk ka propozim për juri dhe miratimin e kësaj jurie nga titullari i MTKRS
• Të gjitha këto shkelje janë konstatuar nga Drejtoria e Auditit të Brendshëm të ministrisë.

Konkursi ndërkombëtar i arteve pamore “Onufri 2007”
• Shima ka konflikt interesi në organizimin e këtij konkursi si kurator i tij.

Bienalja e Venecias
• Shima në detyrën e komisionarit ka përdorur fonde nga buxheti i Galerisë Kombëtare të Arteve, edhe pse bienalja e Venecias është tërësisht projekt i financuar nga MTKRS.
• Ka përdorur nga buxheti i vitit 2007, të GKA për shpenzime për dieta dhe udhëtime afro 800 mijë lekë të reja.
• Udhëtimet në shumicën e rasteve janë bërë ditët e shtuna dhe të diela, pra s’kanë qenë udhëtime të justifikuara pune.
• Ka shpërdoruar dhe “Fondin e veçantë të institucionit, duke marrë çdo muaj 20 mijë lekë të reja, si pagesë për kohë pune jashtë orarit normal të punës të firmosura nga vetë Shima.  

Rikthimi i ministrit në galeri

Në një deklaratë të Genc Mulliqit, të para dy ditëve, thekson se ministri i Kulturës, Ylli Pango, ka disa muaj që nuk ndjek më asnjë aktivitet të Galerisë, qoftë hapje ekspozitash, qoftë evente të tjera. Ndërkohë dje pasdite, pas dorëheqjes së Mulliqit, nga GKA, vjen njoftimi për çeljen e ekspozitës “Portrete shqiptare në shekullin XX”, në 19:00 në sallën e Rilindjes. “Ekspozita realizohet në kuadrin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe organizohet nga MTKRS dhe GKA. Në ceremoninë e përurimit do të jetë i pranishëm ministri Ylli Pango”, shkruhet më tej në njoftim. Eshtë vallë një koincidencë e rastit rikthimi i ministrit në GKA, apo një urim për drejtorin e ri?!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›