E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangoset në Suedi Zylfie Haklaj

• Arrestohet në Goteborg të Suedisë, Zylfie Haklaj, motra e vëllezërve të familjes Haklaj e kërkuar për disa vrasje dhe e dënuar për një atentat të vitit 2003 në Tropojë.

Dashamir Biçaku

 Burimet zyrtare të policisë, thanë se e kërkuara fshihej duke u maskuar si burrë në Suedi. Zylfie Haklaj, sipas burimeve zyrtare, në mënyrë të vazhdueshme kishte përdorur emra të rremë për t'iu fshehur autoriteteve policore në Suedi, pasi ajo ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me urdhërarresti nga Interpol Tirana. Arrestimi i vajzës së familjes Haklaj, e fundit që ndodhej në listën e kërkimit policor, është bërë e ditur nga Policia e Shtetit, në një deklaratë zyrtare për shtyp. Sipas saj, Zylfie Haklaj është arrestuar mesditën e djeshme në Goteborg, nga policia suedeze, ndërsa dyshohet se ka qëndruar në shtëpinë e vëllait të saj më të madh, Hamdiut, i vetmi i mbetur gjallë nga vëllezërit e familjes Haklaj. Burimet thanë se, para arrestimit të Zylfie Haklajt, 44-vjeçarja nga Kërrnaja e Tropojës, kishte aplikuar për të kërkuar dhe fituar azil politik në Suedi. Pikërisht gjatë këtyre procedurave autoritetet suedeze kanë vërejtur se aplikantja ishte person në kërkim ndërkombëtar. Por zyrtarë të policisë shqiptare pohuan se, e kërkuara është arrestuar falë gjurmimit policor të kryer ndaj saj. Mësohet se gjatë verifikimit të dokumentacionit të paraqitur nga aplikantja për azil, ka rezultuar se ajo ishte në kërkim nga policia shqiptare. Burimet e policisë shqiptare, kanë pohuar se dyshimet e tyre kanë qenë që prej disa vitesh Zylfie Haklaj mund të ketë qëndruar në vendet perëndimore, kryesisht në ato të Evropës Veriore. Pas arrestimit të Hamdi Haklajt dyshimet e Zyrës së Interpol Tiranës dhe Policisë Shqiptare, në lidhje me vendndodhjen e Zylfies u përforcuan se ajo mund të ishte në Goteborg. Gjithsesi kërkimet e policisë shqiptare për një vendndodhje të mundshme të saj në këtë vend rezultuan të pasuksesshme, deri disa javë më parë kur agjentët e policisë kanë thënë se kishin të dhëna të plota mbi vendndodhjen e Zylfies. Ndërkaq pas ndalimit dhe shoqërimit të djeshëm të 44-vjeçares Haklaj, policia suedeze i ka kërkuar të dhënat e saj policisë shqiptare. Zyra e Interpol Tiranës ka përcjellë homologëve suedezë, elementët identifikues për Zylfie Haklajn. Sipas burimeve të policisë, janë dërguar fotot dhe gjurmë të gishtave të Zylfie Haklajt. Pas krahasimit të tyre, autoritetet e policisë shqiptare kanë konfirmuar se e arrestuara ishte pikërisht Zylfie Haklaj, e kërkuara prej policisë shqiptare për disa krime, kryesisht vrasje. Një konfirmim të tillë, sipas burimeve të policisë shqiptare e kanë marrë nga autoritetet e policisë suedeze, pasi atje ishte kryer edhe veprimet e nevojshme me gjurmët daktiloskopike të dërguara nga Zyra e Interpol Tiranës. Burimet policore sqarojnë se, pas kryerjes së këtyre veprimeve ata kanë marrë edhe përgjigje pozitive të homologëve të tyre suedezë. Haklaj është pyetur dje edhe nga hetuesit suedezë në qytetin e Goteborgut. Policia shqiptare, nuk ka pranuar të japë detaje rreth mënyrës së si Zylfie Haklaj ka mundur të hyjë në territorin e Suedisë apo edhe kohën e qëndrimit të saj atje si dhe aktivitetin që ajo ka pasur. Disa prej detajeve të mësipërme, iu janë përcjellë edhe homologëve shqiptarë, por të dhënat nuk janë bërë të ditura nga këta të fundit, që janë klasifikuar përkohësisht si të "panevojshme" për mediat. Të afërm të familjes së Haklajt, nuk kanë preferuar të flasin në lidhje me arrestimin e Zylfies. Ata kanë shprehur dyshimet e tyre, nëse në të vërtetë ishte fotoja e njeriut të tyre, ajo që ishte publikuar nga policia pasditen e djeshme.

Të dhënat

Emri:                           ZYLFIE
Mbiemri:                    HAKLAJ
Mosha:                      45 vjeçe
Vendlindja:                 Tropojë
Akuzat:         Vrasje në rrethana cilësuese - Mbajtje pa leje të armëve luftarake
Dënimi:                 25 vjet burg

25 vjet
burg është dënimi i dhënë nga gjykata për Zylfie Haklajn. Edhe vëllai i saj Hamdi Haklaj është arrestuar një vit më parë në Suedi dhe më pas u la i lirë, pasi mori azil politik

Zylfie Haklaj u dënua për atentatin në qendër të qytetit të Tropojës

TIRANE - Dy persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e breshërive të armës që mbante në duar Zylfie Haklaj. Ngjarja ndodhi më 2 prill 2002 në qytetin e Tropojës kur u vranë me armë zjarri shtetasit Rasim Lumneshi dhe Ilir Gosturani. Sipas burimeve zyrtare të policisë, hetimet e Prokurorisë së Tropojës, kanë zbuluar se Zylfie Haklaj kishte qëlluar mbi viktimat nga një distancë më pak se 15 metra me një armë automatike. Ajo mësohet se armën e kishte fshehur poshtë rrobave derisa është afruar tek lokali ku qëndronin personat që ishin vendosur në shënjestër të atentatit. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga Zylfia Haklaj, policia tha se kanë mbetur të plagosur edhe shtetasit Izet Dushaj dhe Hysen Biberi. Hetimet për këtë ngjarje vazhduan për disa vite me radhë derisa dosja mbërriti në Prokurorinë e Tiranës. Në këtë kohë, fillimisht Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë arrest me burg në mungesë ndaj Zylfie Haklajt. Për akuzën e vrasjes së Rasim Lumneshit dhe Ilir Gosturanit, Zylfie Haklaj sipas policisë është dënuar nga gjykata me 25 vite burgim në mungesë. Menjëherë pas vendimit të gjykatës dënimi është pasqyruar edhe në dosjen e Interpolit, i cili e kishte renditur Zylfie Haklajn në listën e personave të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare.            d.b

Për akuzën e vrasjes së Rasim Lumneshit dhe Ilir Gosturanit, Zylfie Haklaj sipas policisë është dënuar nga gjykata me 25 vite burgim në mungesë. Pas vendimit ajo u shpall në kërkim ndërkombëtar

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›