E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuader i paqendrueshem i ekonomise boterore

Një kuadër i paqëndrueshëm i ekonomisë botërore ka dalë nga raporti i publikuar nga Organizata për Bashëkpunim dhe Zhvillim Ekonomik. Në raportin e saj për gjashtëmujorin e dytë të ekonomisë OECD parashikon se rritja globale do të ngadalësohet në 3,4% për këtë vit dhe 4,2% në vitin 2013. Por raporti ka evidentuar se ka diferenca mes vendeve anëtare, ku disa prej tyre rriten më shpejt se sa të tjerat, kryesisht pasiguritë lidhen me Eurozonën e cila pengon rritjen në OECD.
Sekretari i përgjithshëm i OECD, Angel Gurria  është shprehur se ekonomia botërore do të vijojë të përballet me probleme të tjera.
“Papunësia mbetet e madhe në shumë vende dhe në disa të tjera vijon rritjen. Shumë vende nuk kanë rikuperuar ende nivelet e parakrizës. E ndërsa brishtësia e sektorit financiar dhe bankar ka bërë disa progrese mbetet ende shumë për tu bërë. Financat publike janë të dobëta dhe në disa raste në gjendje të tmerrshme”, vuri në dukje Gurria.
 Situate politike në Europë është e paqëndrueshme me zgjedhjet greke të 6 majit që sollën partinë e të majtës ekstreme Syriza e cila ka krijuar pasiguri. Kreu i ekonomistëve të OECD-së Pier Carlo Padoan ka thene gjatë raportimit se perspektiva ka ndryshuar në javët e fundit. 
“Gjërat kanë filluar të ndryshojnë shumë sëfundmi dhe nuk mund të përjashtohet një skenar negativ që mund të sillte pasoja të rënda në të gjithë botën”, u shpreh ai. 
Për Padoan kriza e borxhit në Eurozonë, Greqia që po përpiqet për të qëndruar në Euro dhe bankat spanjolle në vështirësi për kapital mund ta cojnë situatën jashtë kontrollit.
Kreu i ekonomistëve të OECD-së e shikon të paarsyeshëm debatin për rritjen dhe paktin fiskal brenda vendeve të BE.
“Ka një debat të vazhdueshëm mbi këto parime. Mendoj se kjo është një situatë absolutisht e pavend. Konsolidimi fiskal duhet të vijojë. Vendet me borxh të lartë nuk mund të shkojnë përpara në këtë mënyrë. Kështu që korrigjimi i llogarive publike është një domosdoshëmri. Por mënyra se si bëhet bën një ndryshim të madh”, sqaroi Padoa. 
Ndërkohë OECD i ka ftuar liderët europianë të lehtësojnë ritmin e masave shtrënguese.
“Europa ka nevojë për riekuilibrim mes vendeve në rritje dhe atyre në recesion duke mundësuar një rritje më të madhe në jug që kërkon një konkurrueshmëri më të forte. Kjo mund të ndihmohet shumë nga masat në veri duke rritur pagat, rritjen e kërkesës dhe investimeve edhe në nivel evropian”, theksoi Pier Carlo Padoan.
Për 2012-ën ekonomia e eurozonës sipas OECD-së do të rrudhet me 0,1% dhe papunësia pritet të kap rekorde të tjera deri në 11% të popullsisë aktive.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›